Ky website është ende në proces të punës!

Bashkim R. Vishi

BASHKIM Ramush  VISHI

(18.5.1977 – 28.9.1998)

Më 18 maj të vitit 1977, në shtëpinë bujare e atdhetare të Ramush Vishit, në Dubravë, u dha lajmi për lindjen e djalit, trashëgimtarit të familjes, vëlla i pesë motrave, djalë i parë. Djalin e pagëzuan me emrin Bashkim, një aspiratë e kahershme e liridashësve të Kosovës në përgjithësi e në veçanti e malësorëve të Kaçanikut, të cilët me rezistencën dhe trimërinë e tyre shekullore bënë emër qysh nga Lufta e Kosovës, dhe në të gjitha luftërat e tjera kundër pushtuesve, deri në epopenë e lavdiplotë të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës.

Bashkimi ishte biri i Ramush Vishit, nga fshati Dubravë, një burrë bujar i shquar për trimëri e atdhedashuri. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën fillore, e cila e mban emrin e militantit dhe revolucionarit Kadri Zeka. Edhe pse kishte dëshirë të shkollohej, për shkak se ishte i vetmi djalë i familjes ai angazhohet në punë, duke i ndihmuar babait, për ta ngritur ekonomikisht familjen.

I rritur dhe i edukuar me ndjenja patriotike dhe i bindur se liria nuk vjen vetvetiu, as duke pritur, Bashkim Vishi, edhe pse i ri i’u kishte bashkuar krahut militant atdhetar. Lufta në Drenicë, rënia heroike e legjendarit Adem Jashari dhe e Jasharëve të tjerë, i japin impulse këtij trimi të ri revolucionar. Mori pjesë aktive në demonstratat që u zhvilluan në Kaçanik dhe në tërë Kosovën me moton “Drenicë jemi me ty”.

Qysh në maj të vitit 1998, u bashkohet grupeve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat kishin filluar të formoheshin në komunën e Kaçanikut. Qëllimin e tij për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së ia bën të ditur babait, motrave dhe shokut të ngushtë.

Fillimisht sistemohet në radhët e njësitit të Kaçanikut, së bashku me Nehat Vishin, Bekim Vishin e të tjerë. Synimi i tij ashtu sikurse edhe i shumë luftëtarëve të rajonit të Kaçanikut, ishte që sa më parë të zgjeroheshin radhët çlirimtare edhe në Malësinë heroike të kësaj ane. Bashkimi ishte në njohuri si grupi militant i Agim Bajramit, Xheladin Kurtajt, Besnik Beguncës e të tjerë po vepronte në drejtim të krijimit të pikave të UÇK-së në fshatrat e Kaçanikut.

Pas disa muajsh shërbimi në pikën e luftës në Jezerc, Bashkim Vishi në gjysmën e parë të muajit shtator të vitit 1998, kthehet në familje, për t’i parë prindërit dhe motrat. Pas pak ditë qëndrimi dhe çmalljeje në familje, sërish kthehet në pikën e tij luftarake në Jezerc.

Asokohe, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, Bashkim Vishi sistemohet në radhët e Njësitit të Kaçanikut. Komandant i njësitit të Kaçanikut ishte veprimtari dhe luftëtari i mirënjohur, Qamil Ilazi, komandant “Bardhin”.

Në ditët e fundit të shtatorit më 25, 26, 27 dhe 28 shtator 1998, forcat serbe fillojnë ofensivën e madhe ushtarake kundër të gjitha zonave të UÇK-së. Ofensiva të ashpra ishin ndërrmarrë sidomos në Drenicë, në rajonin e Çiçavicës dhe në Zonën Operative të Nerodimes. Armiku kishte filluar granatimin me një rreze të gjërë veprimi, duke sulmuar nga bazat e forta ushtarake, nga vendi te Gështenjat e Shtimes, si dhe nga Nerodimja, Budakova, Gremja, Zaskoku, nga Zhupa e Siriniqit, e Pleshina. Rrethi manovrues i luftëtarëve të lirisë po ngushtohej nga të gjitha anët, por trimat çlirimtarë kishin zënë pozicionet dhe nuk zmbrapsen nga istikamet, (llogoret).

Një përqendrim i madh i forcave të armikut ishte bërë në vendin e quajtur te Kalaja e Jezercit. Më 28 shtator ishte dita e katërt e luftimeve. Në ballin e luftës kundër forcave armike të cilat po bënin përpjekje për të depërtuar, te Kalaja, qëndronin të pathyeshëm: Bashkim Vishi, Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Nazim Terziu e të tjerë ata po shkruanin faqe të ndritshme të lavdisë dhe të heroizmit. I ndodhur përpara forcave okupatore shumëfish më të mëdha në numër, luftëtari sypatrembur Bashkim Vishi, duke mos lëvizur nga istikami (llogori), lufton ballë për ballë kundër forcave të armikut.

Më 28 shtator  Bashkim Vishi bie në altarin e atdheut. Ai kishte rënë në pikën e dytë, në lagjen e quajtur Prorok të fshatit Jezerc. Po atë ditë, në përpjekje për ta tërhequr nga vendi ku kishte rënë bashkëluftëtari dhe shoku i tij i idelait, bie edhe Nazim Terziu, i cili nën breshërinë armike kishte arritur në llogore për t’iu ndihmuar luftëtarëve. Përveç Bashkim Vishit dhe Naim Terziut, në ditën e hënë të 28 shtatorit në altarin e lirisë në pozicionet e pamposhtura të UÇK-së, në fshatin Jezerc bien edhe: Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Gursel Sylejmani, Arsim Zeqiri, Lulëzim Guta, Sejdi Sejdiu dhe Sali Baliu.

Familja e dëshmorit Bashkim Vishit, pas luftës çilirmtare dhe fitores së UÇK-së ka marrë mirënjohjet meritore për birin dëshmor. Me mirënjohje dëshmorin Bashkim Vishin e ka nderuar Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asociacionet e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shënimet për dëshmorin Bashkim Vishi  janë marrë në familjen e dëshmorit në Dubravë, në muajin shtator 1999 nga babai Ramush Vishi, nëna … , si dhe në arkivin e Komandës së Brigadës 162 “Agim Bajrami”.

Për Bashkim Vishin shih: Hajrush Kurtaj, epror ushtarak, “Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik 2000, f. 79-81,  Grup autorësh Feniksët e Lirisë 5 – dëshmorët e UÇK-së, botoi SHVLUÇK, Prishtinë 2004, f.41. Afrim Mustafa, Bardhësit e Atdheut-Dëshmorët e tri Luftërave Çlirimtare, 2006; Sadik Krasniqi, Lufta për çlirimin e Kosovës 1997-1999, Prishtinë, 2009; Mr. sc. Hajrush Kurtaj- Lufta e UÇK-së në ZON, Prishtinë, 2012, Kolonel Hajrush Kurtaj, Në Rrugën e Lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012; Naser Kuka, Nga Lëvizja Ilelgale te UÇK, kujtime e dëshmi, Prishtinë, 2012 .

 

Autor: kolonel Hajrush Kurtaj, Zv.komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”

Nxjerrë nga libri ”Flakë e Pashur’