Ky website është ende në proces të punës!

Nuhi Z. Mazreku

Nuhi Mazreku (21.04.1959 – 24.08.1998) ishte një ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e nisi aktivitetin e tij duke lënë ditarin si mësues e duke e marrë pushkën për lirinë e vendit. Nuhi Mazreku në jetën e tij gëzoi këto emërtime: prindërit e thërrisnin Nuhi, nxënësit e thërrisnin Mësues, ndërsa shokët e idealit dhe të luftës e thërrisnin “Snajperisti”, sepse qëllonte shkëlqyeshem mbi armikun.

Mësuesi i palodhshëm, Nuhi Mazreku, i mësoi nxënësit e 19 gjeneratave. Atyre ua mësoi shkronjat e para të alfabetit të gjuhës shqipe, e bashkë me to edhe fjalët atdhe, flamur, mësues, liri, dëshmor, etj. Sot, i gjithë populli e quan “Mësuesi dëshmor i UÇK-së”.

·       Jeta dhe familja

Nuhi Mazreku u lind në Goriq, në një familje me tradita patriotike, e cila kurrë nuk u bë vegël për t’i shërbyer asnjë pushtuesi, por gjithnjë, që nga kryengritësi Hazir Guriqi, ua ktheu pushkën armiqve dhe tradhtarëve.

Edhe gjatë sundimit të diktaturës fashiste jugosllave, e sidomos gjatë aksionit të armëve më 1955-1956, familja Mazreku u torturua mizorisht, ashtu si edhe tërë fshati, ndërkaq gjyshi i Nuhiut, Ajet Mazreku, si pasojë e rrahjeve që ia bëjnë xhelatët e UDB-së në stacionin e policisë në Banjë të Malishevës, kishte vdekur pas pak ditësh.

Më 22 janar të vitit 1998, shtëpia e Nuhi Mazrekut ishte bastisur nga policia fashiste me pretekst të kërkimit te armëve, e po të njëjtën ditë ishte sulmuar edhe shëepia e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit.

Nuhi Mazreku shkollën fillore e kreu në Pagarushë, ndërkaq shkollën e mesme, dy vite, në Malishevë dhe dy vitet e fundit në Rahovec. Në vitin akademik 1975/76 ishte regjistruar në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ‘’Bajram Curri’’ në Gjakovë, në Drejtimin Klasor dhe i përfundoi me sukses të lart. Punoi në detyrën e mësuesit klasor në shkollën fillore të Pagarushës që nga viti 1979, dhe për 19 vite, kurrë nuk e lëshoi ditarin nga dora.

Pas ndërtimit të shkollës së re në fshatin Goriq, në vitin 1991, Nuhiu filloi të punonte në këtë shkollë, deri ne mars të vitit 1998, kur Nuhiu e ndërpreu punën si mësues për t’u bashkëngjitur në radhët e UÇK-së.

Nuhiu punoi si mësues dhe edukator i palodhshëm, Punonte me pasion me të vegjlit ai ndjente kënaqësi kur puna në klasë me nëxënës i shkonte mirë. Me kohë i realizonte njësitë metodike që parashiheshin me plan dhe program shkollor.

Ai preokupohej që nxënësit të jenë sa më aktivë dhe kjo kryesisht varej nga puna e vetë mësuesit. Me shikimin e tij të ngrohtë e plot dashuri prindërore, si një mësues dhe edukator i aftë, ai i kishte përvetësuar zemrat e vogëlushëve dhe prindërve të tyre fshatarë, me të cilët konsultohej për cdo pengesë që i dilte gjatë procesit edukativo-arsimor. Çdo sukses të nxënësve ai e konsideronte edhe sukses të vetin. Kishte një etje të madhe për dije, prandaj lexonte shumë, sidomos literaturë pedagogjike, sepse thoshte:”Të jesh mësues është detyrë e shenjtë, por sa jemi ne të denjë ta meritojmë këtë emër kaq të madh, sepse duhet të jesh i pajisur me dije, por edhe ta njohësh mirë psikologjinë e fëmijëve, zemrat e të cilëve janë të ndjeshme si lulet”.

Heroi i kombit, Nuhi Mazreku, la pas vetes familjen e ngushtë, nënën Bademen, babain Zejnullahun, gruan Nuhijen dhe fëmijët, Ylberin, Luljetën, Labinotin, Fitimin dhe Artën. Nuhiu la edhe vëllezërit, Hamitin, Avdiun, Avniun dhe Elmiun dhe motrat, Xhevahiren, Serveten dhe Sahidjen.

Djali i madh i Nuhiut, Ylberi, me krenari ia ripërtëriu emrin e gjyshit djalit të tij.

  • Veprimtaria

Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mësuesi Nuhi Mazreku ndër të parët që iu bashkëngjitë radhëve të luftëtarëve të lirisë.

Me 17 mars të vitit 1998, në familjen e Nuhi Mazrekut, ne Goriq vijnë, Ismet Jashari (nga Orizarja e Kumanovës), Fatmir Limaj (nga Banja) dhe Haxhi Shala (nga Banja), Këta tre luftëtarë të lirisë dhe disa bashkëluftëtarë të tjerë e formojnë bërthamën e parë luftarake të UÇK-së, në zonën e Llapushes e me gjerë, Pas një kohe, ky njësit u vendos në pikën strategjike në fshatin Kleçkë.

Gjatë tërë kohës kur ishte plagosur Komandant Kumanova në të dyja këmbët, shërimi iu bë në shtëpinë e Nuhi Mazrekut, nën përkujdesjen e infermieres Mejreme të cilën luftëtarët e quanin “Shotë Galica” nga Dobërdolani. Familja Mazreku e tëra ishte vënë në dispozicion të UÇK-së, madje edhe babai Zejnullahu (63 vjeç) bënte roje me pushkë në dorë.

Mësuesi Nuhi, që nga dita kur kishte ardhur në shtëpinë e tyre Komandant Kumanova, kurrë nuk iu kishte ndarë, Gjithnjë mbante pushkën e tij snajperk për çka edhe e pagëzuan me emrin luftarak SNAJPERISTI, sepse qysh nga koha kur kishte shërbyer në armatën jugosllave, Nuhiu ishte dalluar si një qitës i pagabueshëm. Këto aftësi të tij, ai i vuri në dispozicion të luftës, çlirimtare dhe në njësitin e UÇK-së “Çeliku”, Nuhiu u dallua si ndër luftëtarët më të spikatur.

Shtëpia e Nuhi Mazrekut e vendosur në mes të pyllit, ishte Shtabi i parë i UÇK-së në zonën e Llapushës e më gjerë, aty luftëtaret e lirisë u shndërruan ne strehë të sigurt që ia kishin kthyer pushkën gjakpirësve fashistë neoçetnikë. Në këtë shtëpi, shumë luftëtarë ishin shëruar në këtë, si Bajram Bekteshi, Nexhat Cikaçi, e shumë e shume të tjerë. Në odën e Nuhiut, gjatë kohës së luftës, disa herë kanë qenë edhe delegacione të huaja dhe shumë luftëtarë të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Musë Jashari, e të tjerë.

Nuhi Mazreku pas kyçjes në UÇK, në fillim ishte komandant i Skuadres, ndërsa pas formimit të Brigadës 121, Nuhiun e emërojnë komandant të Kompanisë të Batalionit të tretë, “Sadik Shala”, të cilët vepronin në fshatrat Luzhnicë, Javor, Dugë, Karaçicë, Duhël Bllacë, etj.

Nuhi Mazreku bashkëlufëtarë më të ngushtë i ka pasur: Ismet Jasharin, Fatmir Limajn, Haxhi Shala, Nexhmi Shala, Refki Mazreku, Xhevat Buqaj, Ramë Bibaj, Naser Hoxha, Afrim Buçaj, Habib Zogaj, Gani Kastrati, e shumë bashkëlufëtarë të tjerë, ku disa prej tyre tash janë edhe dëshmorë të kombit.

  • Rënia heroike

Më 24 gusht të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, filluan granatimet e forcave armike nga pozicionet e Bllacës në drejtim të Bajrakut të Luzhnicës, ku ishin pozicionuar forcat e komandant Kumanovës. Njësiti luftarak në përbërje prej shtatë luftëtarësh, Gani Kastrati, Refki Mazreku “Van-Dami”, Nuhi Mazreku “Snajperisti”, Afrim Buçaj “Mësuesi”, Ilir Dugolli, Kujtim Krasniqi “Timi” dhe Valbonë Morina, si dhe disa bashkëluftëtarë të tjerë, u nisën në drejtim të Bajrakut të Luzhnicës, për t’i ardhur në ndihmë komandant Kumanovës. Për këtë rrëfen Refki Mazreku “Van-Dami”: ‘’U nisëm me xhip kabriolet, por xhipi nuk na zinte të gjithëve. Atëherë, Gani Kastrati u ulë prapa mbi gomën rezervë. Vetëm 100 metra pa arritur te pozicionet e ushtarëve tanë, mbi xhipin tonë zbrazet breshëria e plumbave të armikut, i cili na kishte vënë në shënjestër. Ganiu kërcen nga xhipi dhe merr pozicion sulmi, por kishte marrë plagë vdekjeprurëse dhe mbeti në rrugë. Edhe unë dhe Ilir Dugolli morëm plagë të rënda. Në përpjekje për t’i ndihmuar dhe për ta tërhequr nga rruga, Nuhiu edhe Afrimi bëjnë luftë heroike ballë për ballë me forcat e shumta armike, por edhe ata bien në fushën e nderit. Tani ne mbetëm pa tre luftëtarë sypatrembur, pa Nuhiun‘”Snajperistin”, pa Afrimin “Mësuesin” dhe pa Ganiun”.              

  • Pas rënies heroike

Të nesërmen, më 25 gusht të vitit 1998, në orën 05:00 të mëngjesit, komandant Kumanova, së bashku me Habib Zogajn – komandant Arbëri, zëvendëskomandant i njësisë diversante- vëzhguese dhe me disa luftëtarë të tjerë, bëjnë përpjekje për t’i marrë trupat e tre dëshmorëve të lirisë, Nuhi Mazrekut, Afrim Buçaj dhe Gani Kastrati. .Pas një lufte të ashpër prej disa orësh rresht, në fushën e nderit bien edhe komandanti Ismet Jashari “Kumanova” dhe Habib Zogaj “Arbëri”. Tani armiku depërton thellë te Maja e Bajrakut dhe i merr trupat e pesë luftëtarëve tanë dhe i varrosin në Fashatin Shirokë të Therandës.

Më 2 dhjetor të vitit 1998, Batalioni i Kabashit, së bashku me disa bashkëluftëtarë të fshatit Korishë, arritën t’i zhvarrosnin trupat e pesë luftëtarëve të lirisë.

Bashkëluftëtarët e Brigades 121, si dhe shumë bashkëluftëtarë të UÇK-së, familjet e deshmorëve dhe mijëra pjesëmarrës nga të gjitha trevat e Kosovës, e bëjnë ceremoninë e rivarrimit të tyre me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë.

Me 21 prill të vitit 2003, në datën e lindjes së heroit të kombit, shkolla fillore në Goriq, e mori emrin e dëshmorit Nuhi Mazreku “Snajperisti” ,dhe në të njëjtën ditë, me inciativën e fshatarëve mësimdhënësve dhe bashkëlufëtarëve, në oborrin e shkollës u bë zbulimi i bustit të dëshmorit Nuhi Mazreku.

Me 28 nëntor të vtit 2006, në ditën e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë, në Bajrak të Luzhnicës, në vendin e rënis heroike të dëshmorëve, Ismet Jashari, Nuhi Mazreku, Habib Zogaj, Afrim Buaj, Gani Kastarti dhe Sahit Tixhaj, bashkëluftëtarët e Brigades 121, Ismet Jashari – Kumanova, ngritën lapidarian e dëshmorëve.

Më 7 mars 2008, në Ditën e Mësuesit, Ministria e Arsimit i ndau mirënjohje për kontributin e dhënë mësuesit dëshmor, Nuhi Mazrekut.

Me 28 nëntor 2014 në Fshatin Goriq u zbulua lapidari dëshmorëve, Nuhi Mazreku, Hidajet Mazreku dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve në të gjitha kohërat e luftës.

Në vitin 2014, me vendim të Komunes së Malishevës, emërohen disa rrugë në fshatin e tij, me emrin e dëshmorit Nuhi Mazreku.

Në vitin 2014, me vendim të Komunës së Therandës, në Fshatin Luzhnicë, një rrugë mori emrin e dëshmorit Nuhi Mazreku.

Me 7 mars të vitit 2017, në Ditën e Epopesë së UÇK-së, presidenti i Republikës së Kosovës i asaj kohe, Hashim Thaçi ndau Urdhrin më të lartë “Hero i Kosovës”, për dëshmorin Nuhi Mazreku.