Ky website është ende në proces të punës!

Gani Sh. Kastrati

Gani Kastrati (13.03.1975 – 24.08.1998) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo aktiviteti i tij patriotik kishte nisur qysh në adoleshencë, duke marrë inspirim nga familja e tij atdhedashëse dhe patriotike.

  • Jeta dhe familja

Gani Kastrati u lind në fshatin Nekoc të Drenasit (ish-Gllogoc). Ai ishte biri i Shaqir dhe Mihane Kastratit. Shaqiri dhe Mihanja kishin edhe 9 fëmijë të tjerë, djemtë Hamdiun e Vehbiun dhe vajzat Sabria, Zela, Shukria, Nexha, Faza, Hetemja, Fatmirja.

Ganiu shkollën fillore e kreu në Nekoc, ndërsa shkollimin e mesëm në shkollën teknike në Drenas (ish-Gllogoc) – drejtimi Metalurgji.

Ai si i ri kishte filluar të kërkonte punë për t’i dalë financiarisht në ndihmë familjes së tij.

  • Veprimtaria

Nga beteja e familjes Jashari në marsin e 1998-tës, e gjithë Kosova e kishte kuptuar që pa luftë nuk do të kishte liri. Ganiu si atdhedashës dhe patriot i etur për liri, kishte shkuar në Likoc që të radhitej në radhët e Ushtris Çlirimtare të Kosovës. Ai u bashkua me shokët luftëtarë dhe filloi të luftonte në mbrojtje të atdheut në fshatrat Likoc, Abri, Baicë, etj.

Ganiu mori pjesë në luftimet  në Grykën e Llapushnikut, e cila u zhvillua me 9 maj të vitit 1998, Gryka e Llapushnikut ishte bërë e pamposhtur dhe e  pakalueshme për ushtrinë dhe policinë serbe, deri më 26 korrik të vitit 1998.

Në fund të muajit maj të vitit 1998, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, ishte formuar shtëpia bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Nekoc, në odën e Shaqir Kastratit, babait të Ganiut. Në formimin e kësaj baze, i pranishëm ishte dhe Shukri Buja dhe Ismet Hoxha, ndërsa Ganiun e kishin emëruar përgjegjës të kësaj baze. Pasi u formua baza, shumë të rinj nga fshatrat përreth kishin mundësi të kyçeshin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me 14 qershor të vitit 1998, Ganiu mori pjesë edhe në betejën e Grykës së Caralevës, së bashku me Imer Alushanin dhe disa luftëtarë të tjerë nga Gryka e Llapushnikut.

Ata kishin shkuar pasi kishte filluar beteja dhe duke kaluar nga breshëria e plumbave të armikut, kishin arritur të depërtonin në vendin e ngjarjes, duke iu bashkuar bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ganiu mori pjesë pothuajse në të gjitha luftimet që janë zhvilluar nga Gryka e Llapushnikut, në Fushticë, Blinajë e deri në Carralevë e në Bajrak të Luzhnicës.

Me 24 korrik 1998 luftoi në betejën që u zhvillua në Fushticë. Nga aty, më 25 dhe 26 korrik 1998, luftoi në Grykën e Llapushnikut.

Pas thyerjes së Grykës së Llapushnikut, Gani Kastrati ishte sistemuar në pikën luftarake të komandantit Ismet Jashari- “Kumanova”, te Bajraku i Luzhnicës, afër Qafës së Duhlës.

Me 23 gusht të vitit 1998, në mëngjesin e hershëm, filluan granatimet me armë të rënda të artilerisë nga forcat armike serbe. Po goditeshin fshatrat përreth dhe pikësynim kishin rrafshnaltën. Topa dhe minahedhësa po hidheshin në drejtim të Kleçkës e të Divjakës. Gjatë tërë ditës ishin zhvilluar luftime. Ganiu, së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë, kishin ndërmarrë një sulm të armatosur kundër forcave serbe në Malishevë. Luftimet kishin vazhduar edhe të nesërmen nga pikat ushtarake të Ismet Jasharit-Kumanovës.

  • Rënia heroike

Më 24 gusht, Ganiu së bashku me shokët e tij kishin marrë vesh që forcat serbe po granatonin nga drejtimi i Bllacës në drejtim të Bajrakut, kështu që, Ganiu së bashku me Nuhi Mazrekun, Refki Mazrekun, Valbonë Morinën, Kujtim Krasniqin, Ilir Kryeziun, ishin nisur për t’u dalë në ndihmë Komandantit Ismet Jashari- Kumanova dhe bashkëluftëtarëve të tjerë.

Ata ishin nisur me një makinë kabriolet, në të cilën Ganiu ishte ulur mbi rrotën rezervë sepse nuk  kishte vend në makinë, por pak pa arritur në vendin e ngjarjes, rrugës forcat armike i kishin shënjestruar dhe kishin filluar t’i gjuanin me breshëri plumbash,

Ganiu kishte kërcyer nga gjipi dhe kishte marrë pozicjonin e sulmit, ku edhe ishte plagosur dhe kishte marrë plagë vdekjeprurëse, në përpjeke për t’i ofruar ndihmë Ganiut dhe për ta tërhequr trupin e tij, bien në fushën e nderit nga breshëritë e plumave armike, Nuhi Mazreku – Snajperisti dhe Afrim Buçaj – Mësuesi. Po aty plagosen dhe Refki Mazreku dhe Ilir Kryeziu. Në përpjekje për t’i tërhequr trupat e bashkëluftëtarëve, edhe pse i plagosur, Refki Mazreku me luftëtarë të tjerë, panë që ishte e pamundur tërheqja e trupave.

  • Pas rënies heroike

Pasi nuk arritën t’i tërhiqnin trupat atë ditë, të nesërmen, në mëngjesin e hershëm, më 25 gusht Ismet Jashari–Komandant Kumanova me Habib Zogajn – Arbërin, zëvendës komandant i njësisë diversante vëzhguese dhe me disa luftëtarë të tjerë, bënë përpjekje për të marrë trupat e dëshmorëve Gani Kastratin, Nuhi Mazrekun dhe Afrim Buçajn. Por, zona ende ishte e kontrolluar nga forcat armike serbe. Aty kishin filluar luftimin përsëri, luftim ky që zgjati disa orë. Në përpjekje për t’i tërhequr trupat, bien në fushën e nderit edhe Ismet Jashari – komandant Kumanova dhe Habib Zogaj.

Forcat armike kishin depërtuar te vendi i rënies së dëshmorëve në Bajrak të Luzhnicës, kështu ata marrin trupat e tyre dhe i varrosin në Shirokë të Therandës (ish-Suharekë).

Pasi e zbuluan vendin se ku  i kishin varrosur forcat armike serbe dëshmorët tanë, luftëtarët e Brigadës “Ismet Jashari-Kumanova” dhe luftëtarët e “Anadrinit”, kishin arritur që kufomat e dëshmorëve t’i zhvarrosin nga varret e Shirokës dhe t’i sillnin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Kleçkë, ku u rivarrosën me nderime të larta ushtarake.

Në nderim dhe përkujtim të jetës heroike, në fshatin Nekoc janë ngritur shtatoret e tre dëshmorëve, Gani Kastrati, Azem Kastrati dhe Hysni Murseli.

Familjes së dëshmorit, për nder të tij i është dhënë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, mirënjohje nga MMQPK dhe mirënjohje nga Kuvendi Komunal i Drenasit.

Ai mori Urdhërin “Hero i Kosovës” nga kryeministri i Kosovës i asaj kohe, Hashim Thaçi.