Afrim Krasniqi (25.10.1975 – 09.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare.
Afrim Fazli Krasniqi u lind më 5 tetor të vitit 1975, në fshatin Bardh (ish-Lladroviç), Komuna e Malishevës.
Ai e përfundoi shkollën fillore në fshatin Bellanicë, ndërsa të mesmes e mbaroi në gjimnazin “Abdyl Frashëri”, në Malishevë.
Studimet i vazhdoi në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës.
Afrim Krasniqi shihej që në bankat shkollore që ishte i etur për të luftuar për lirinë e Kosovës, ngase qysh atëherë kishte krijuar diapazon të gjerë të dijes përmes shumë librave të lexuar, që kishin tematikë luftën e vazhdueshme të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim dhe liri. Të gjitha këto ndikuan që të piqej shumë herët në aspektin kombëtar.
Gjatë viteve që ishte në studime, Afrimi gjithmonë ishte aktiv dhe organizator në protestat e demonstratat që organizoheshin nga rinia studentore në atë kohë për çështjet kombëtare.
Në këto rrethana, ai u ballafaqua me rreziqe të shumta, nga gazi lotsjellës, helmet e ndryshme që hidheshin tek rinia që protestonte, e deri tek rrahjet më brutale.
Me të dëgjuar për daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrimi me plot vullnet mori rrugën për në Shqipëri, për t’u pajisur me armë e pastaj edhe iu bashkua Njësitit “Çeliku”, në Kleçkë, në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm, në Brigadën 121 – Ismet Jashari “Kumanova”. Afrimi pastaj do të merrte pjesë aktive në luftime përballë forcave serbe. Në beteja ai shquhej që nga fillimi zotësi e trimëri.
Ai mori pjesë në beteja të vazhdueshme që po zhvilloheshin, por e fundit ishte ajo e Rahovecit, ku Afrimi me shumë bashkëluftëtarë sshkuan që t’i dilnin në mbrojtje popullsisë civile që po sulmohej mizorisht nga ushtria serbe.
Ushtria serbe kishte sjellë përforcime të reja dhe kishin sulmuar ushtarët e UÇK-së nga të gjitha anët. Në këtë betejë kishin rënë Afrim Krasniqi, Sadik Shala, Liman Gegaj, Agim Çelaj, Gani Paçarizi, Hamdi Berisha dhe Abdullah Bugari.
Në vendin e rënies së Afrim Krasniqit dhe të dëshmorëve të tjerë, të cilët u flijuan për lirinë e Rahovecit, është ngritur lapidari që mban të skalitur emrat e tyre.
Më 29 dhjetor të vitit 2022, u bë përurimi i lapidarit dhe sheshit në Fshatin Bardh, që mbajnë emrin e tij.