Islam Kastrati (16.04.1964 – 18.04.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por sikur edhe shumë të rinj, aktiviteti i tij atdhetar kishte nisur me pjesëmarrjen në protesta e demonstrata të popullit kundër agresorit serb.
Islam Kastrati u lind më 16 prill të vitit 1964, në Kishnarekë të komunës së Drenasit (ish-Gllogoc).
Shkollimin e filloi në shkollën fillore të fshatit të lindjes, kurse tetëvjeçaren e kishte vazhduar në fshatin Nekoc, për të vazhduar më pas shkollimin e mesëm në gjimnazin e Drenasit.
I detyruar të ndihmonte familjen financiarisht, ai nuk kishte arritur të fillonte as fakultetin, por kishte filluar punë në ndërtimtari së bashku me babain e tij.
Islami ka lënë pas vetes fëmijët, Lavdimin, Bujarin, Miniren dhe Fitoren.
Prej kur ishte duke punuar në ndërtimtari, ndonëse shumë i ri në moshë, ai i kishte përcjellur padrejtësitë që po i bëheshin popullit të tij nga regjimi serb. Prandaj, merrte aktivisht pjesë në çdo protestë e demonstrateë që zhvilloheshin gjithë kohës, por e arritën kulmin me demonstratat studentore të vitit 1989.
Në pranverën e vitit 1998, Islami kishte rënë për herë të parë në kontakt me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte shprehur interesim qysh atëherë, por kishte mungesë të armatimit.
Më 9 maj të vitit 1998, ai ia kishte dalur që të inkuadrohej në radhët e UÇK-së dhe kishte marrë pjesë në aksionin për barrikadimin e Grykës së Llapushnikut.
Mungesa më e madhe për ushtrinë vazhdonte të mbetej armatimi, prandaj në këto rrethana, Islami bashkë me disa luftëtarë ishin nisur drejt Shqipërisë për t’u pajisur me armatim. Pas disa ditësh qëndrimi atje, ai me shokë ishin rikthyer në bazën ku shërbenin.
Beteja e Llapushnikut ishte njëra ndër më të fuqishmet, meqë ushtria serbe kishte shfrytëzuar çdo armatim që kishte në dispozocion për të zbrapsur ushtarët e UÇK-së nga pozicioni i tyre.
Përkundër çëndresës që kishin bërë, nuk arritën t’i rezistonin armatimit dhe u detyruan të tërhiqeshin dhe të vendoseshin në pozicionet e dyta.
Islami ishte shumë i përgatitur psiqikisht dhe fizikisht, prandaj komanda ia kishte besuar armën mitraloz të tipit “Guliniov” dhe me armën e tij shkonte kudo që kishte nevojë.
Në fillim të prillit të vitit 1999, Islam Kastrati me shokët e tij të luftës ndodhej në pikën strategjike të Gurishtës, mbi fshatin Llapushnik, pikë kjo të cilës ia kishin mësyrë për të marrë forcat ushtarake serbe, që ndodheshin në lagjen Sopi të Llapushnikut.
Më 18 prill të vitit 1999, Islami ndodhej së bashku me ushtarët e tjerë të UÇK-së në bunkerin ushtarak, në një bazë të fortifikuar në mes të Bajrakut dhe “Gurishtës” në Berishë, si një pikë shumë strategjike e ushtrisë së UÇK-së. Po atë ditë, në orët e hershme të mëngjesit, Islami me gulinovin e tij kishte sulmuar shumë pjesëtarë të këmbësorisë së ushtrisë serbe, të cilit po tentonin të depërtonin në vendin e ashtuquajtur “Shkëmbi i Gradinës, megjithatë nuk ia kishin dalur dot falë Islamit, i cili i kishte sulmuar me gulinov dhe i kishte detyruar që të tërhiqeshin prapa.
Pas tërheqjes, Islami bashkë me shokun e luftës, Mentor Gashi, kishin dalur nga bunkeri për të kontrolluar dhe vërtetuar që forcat serbe ishin larguar, kur papritmas një predhë godet vendin ku po qëndronin dhe mbetën të vrarë të dy. Në po të njëjtën ditë, duke mbrojtur me çdo kusht pozicionet e tyre kishin mbetur të vrarë edhe ushtarët Ramadan Bytyçi, Mentor Morina dhe Halim Bajraktari, kurse kishin mbetur të plagosur edhe disa të tjerë.
Bashkëluftëtarët kishin tërhequr menjëherë trupat e tyre dhe i kishin varrosur në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Kleçë, atyë ku prehen edhe dëshmorët e tjerë që ranë për lirinë e Kosovës të Brigadës 121 – Ismet Jashari – Kumanova.
Për të nderuar guximin dhe sakrificën e tij, shokët e luftës ua kanë ngritur pllakën përkujtimore dy dëshmorëve Islam e Fehmi Kastrati, në fshatin Kishnarekë.
Për nder të veprës së tij, shkolla fillore dhe e mesme e ulët e fshatit Kishnarekë është emëruar në emrat “Fehmi dhe Islam Kastrati”.