Azem Kastrati (30.03.1958 – 03.06.1999) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktivitetin e tij për liri e filloi qysh në demostratat e vitit 1981, e kur filloi lufta në Drenicë, ai e la mërgimin dhe u radhitë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Azem Kastrati u lind në fshatin Nekoc të Drenasit (ish-Gllogoc).
Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Nekoc, ndërsa shkollimin e mesëm ne Drenas.
Azemi jetonte me familjen e tij të ngushtë, shumëanëtarëshe dhe nga kushtet ekonomike të asaj kohe, ai ishte detyruar të kërkonte punë, duke kaluar kufirin e Kosovës, fillimisht në Maqedoni, e pastaj në Mal të Zi. Më vonë, ai shkoi për të punuar në Kroaci.
Nga Kroacia kishte kaluar në Gjermani, në vitin 1990 dhe për pesë vite kishte punuar pa u ndalur për ta ndihmuar familjen e tij për cdo gjë që kishin nevojë.
Azem Kastrati la pas vetes bashkëshorten Eminen, djalin e tij të vetëm Musanë dhe vajzat, Mirveten, Sherifen, Burbuqen, Ibadeten, Qëndresën dhe Mërgimen.
Lufta në Drenicën legjendare kishte filluar, ndërsa Azemi si shumë liridashës të tjerë, braktisi mërgimin për të marrë rrugën për Kosovë.
Në maj të vitit 1998, në fshatin Nekoc u krijua pika e parë luftarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në odën e dëshmorit Gani Kastrati, ku në këtë pikë u radhitën shumë luftëtarë, përfshirë këtu edhe Azem Kastratin.
Më 14 qershor të vitit 1998, me rastin e zënies së Grykës së Carralevës, Azem Kastrati, Gani Kastrati, Ismet Hoxha e Gafurr Dugolli, si dhe shumë luftëtarë të tjerë të fshatit Nekoc, kishin shkuar në përforcimin e pozicioneve nga Gryka e Llapushnikut nëpër bresherinë e plumbave të armikut, për t’u dalë në ndihmë bashkëluftëtarëve të tyre. Në atë kohë, Azemi ishte sistemuar në grupin luftarak të Krojmirit, ku shquheshin luftëtarët e dalluar të radhëve të para të luftës çlirimtare.
Azemi luftoi në këto beteja: Grykë të Llapushnikut, Zborc, Carralevë, Fushticë, Blinajë dhe kudo ku u dëgjua krisma e armikut në Drenicën Jugore.
Në vitin 1999, Azem Kastrati me disa luftëtarë të tjerë bëhen mburoja më e sigurt e pozicioneve në Blinajë, ku armiku kishte filluar dislokimin e trupave.
Në atë kohë nëpër Zborc kalonte edhe vija e vetme e furnizimit me ushqime për luftëtarët e Drenicës dhe për popullatën civile.
Më 3 qershor të vitit 1999, pak para çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, Azem Kastrati me shumë bashkëluftëtarë, ishin duke vëzhguar lëvizjet e armikut, në fshatin Zborc, ku ruhej edhe koridori për ndihma dhe ushqime që vinin nga popullata e fshatrave të Shtimes, Lipjanit, Ferizajt etj, për të zhvendosurit që qëndronin në Grykën e Krojmirit dhe në grykat e fshatrave të tjera.
Azemi me luftëtarin Nazmi Dauti nga fshati Zborc, duke bërë mburojë, ishin ndeshur ballë për ballë me një njësit këmbësorie të armikut.
Pas disa çastesh të shkëmbimit të zjarrit, bie në fushën e nderit në pyjet e Zborcit, luftëtari i shquar i lirisë, Azem Kastrati, ndërsa plagoset Nazmi Dauti.
Pas rënies së tij, trupin e dëshmorit Azem Kastrati e kishin tërhequr bashkëluftëtarët e tij, Halim Zogaj nga Fshati i Rin(Novosella) dhe Avdyl Shaqiri e Agron Kurtaj nga Carraleva. Në po të njëjtën ditë, ishte varrosur dëshmori Azem Kastrati me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Kleçkë.
Famlja e dëshmorit Azem Kastrati u nderua për kontributin e dhënë për atdhe e liri, duke marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, shoqatat e familjeve të dëshmorëve, Kuvendi Komunal i Drenasit.
Në nderim dhe përkujtim të jetës heroike të tyre, në fshatin Nekoc janë ngritur shtatoret e tre dëshmorëve, Azem Kastrati, Gani Kastrati dhe Hysni Murseli.