Ky website është ende në proces të punës!

Skender A. Alushani

Skënder Alushani (25.07.1968 – 24.09.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili angazhimin e tij e kishte filluar shumë më herët, i nxitur edhe nga të bëmat e familjes së tij atdhetare.

  • Jeta dhe familja

Skënder Alushani u lind më 25 korrik të vitit 1968, nga babai Ademi dhe nëna Lejla, në një familje atdhetare nga regjioni i Drenicës. Shkollën fillore e përfundoi në Komoran, ndërkaq atë të mesme në qytetin e Drenasit.

Skënderi e pati të pamundur të vazhdonte universitetin për shkak të kushteve të rënda ekonomike të familjes, por filloi të punonte të punonte menjëherë pas përfundimit të shkollimit të mesëm.

Ai ka lënë pas bashkëshorten Fidaijen, vajzat Meritën e Heroinën dhe djalin, Meritonin. Ai po ashtu ka lënë pas vetes edhe vëllezërit dhe motrat, Ismajlin, Musanë dhe Enverin, Gjylën, Dritën, Fatimen dhe Valbonën.

Ai kishte filluar aktivitetin e tij atdhetar shumë më herët, qysh në vitin 1993, duke u ndikuar edhe nga aktiviteti i Imer Alushanit, të cilin e kishte djalë të xhaxhait.

  • Veprimtaria

Për shkak të aktivitetit patriotik të tij dhe të familjes së tij, u kishin rënë në sy regjimit serb, të cilët i kishin arrestuar atë, vëllain e tij, Enverin, si dhe djalin e xhaxhait të tij, Imerin, nën pretekstin e posedimit të armëve.

Menjëherë pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai kishte shkuar menjëherë vullnetar dhe i ishte bashkuar pikës ushtarake të Llapushnikut.

Ai, së bashku edhe me Enver Alushaninm Imer Alushanin, Enver Mulakun, Isak Thaçin, Muhamet Ajvazin dhe me disa shokë të tjerë të luftës, kishin marrë pjesë në zënien e Grykës së Llapushnikut, më 9 maj 1998.

Duke qenë një pikë shumë strategjike dhe mbi të gjitha një pozicion i pathyeshëm i UÇK-së, forcat serbe ia kishin mësyer Grykës së Llapushnikut me çdo kusht, prandaj edhe kishin sulmuar me tërë fuqinë ushtarake që kishin në dispozicion. Në mbrojtje të kësaj pike, kishin rënë dëshmorë Imer Alushani dhe Ali Zogaj, ndërkaq kishin mbetur të plagosur edhe shumë pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin duke mbrojtur me jetën e tyre këtë pozitë strategjike.

  • Rënia heroike

Duke pasur gjithmonë në fokus çështjen kombëtare, Skënderi brengosej shumë edhe për sigurinë dhe mirëqenien e familjes së tij, për mbrojtjen e të cilëve e dha edhe jetën.

I shqetësuar për jetën e tyre, ai, në përpjekje për të larguar gruan dhe fëmijët e tij nga rrethimi i ushtrisë serbe, së bashku edhe me shokët e tij të luftës, Hajzer Hajdari dhe Bajram Krasniqi, ishin arrestuar nga ushtrime kriminale serbe dhe në vendin e ashtuquajtur Fusha e Mollës, i kishin pushkatuar.

  • Pas rënies heroike të Skënder Alushanit

Për shkak të kontributit të jashtëzakonshëm të dhënë për çlirimin e Kosovës, familja Alushani është nderuar me mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për të nderuar kontributin e tij, një rrugë në Komoran të Drenasit sot bart emrin e tij.