Liman Gegaj (30.10.1965-19.07.1997) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili aktivitetin e tij e nisi qysh në rini. Limani i thoshte nënës së tij, Zades “Se duhet të jetë krenare nëse djali i vritet për lirinë e Kosovës”.
Limani u lind në fshatin Fshati i Ri (ish-Novosellë). Ishte biri i Destanit dhe Zades, kurse familja e tij ishte një familje e varfër fshatare, por tipike malësore, e njohur dhe e respektuar për bujari dhe atdhedashuri.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, të Kijevës, me sukses shembullor, për ta përfunduar në “Jeta e re”, në Suharekë, si automekanik, që sa më parë të punësohej dhe t`i ndihmonte familjes.
Pas përfundimit të shkolles së mesme, zuri punë ně organizatën “Mirusha”, në Malishevë, ku u dallua si punëtor i zellshëm dhe i respektuar nga gjithë kolektivi.
Në vitin 1981 ishte pjesëmarrës aktiv në demonstrata, që ia lëkundën themelet ish-Jugosllavisë, ndërsa pas protestave të vitit 89/90, i larguar nga puna, mori rrugën e mërgimit për të ndihmuar familjen.
Limani në vitin 1992 u martua me Naile Krasniqin nga Drenoci dhe sollen në jetë dy djem, Petritin dhe Astritin.
Në vitin 1997, Limani ishte kthyer nga mërgimi dhe priste vetëm momentin që te kyçej në UÇK, e cila ndërmerrte aksione tejet të suksesshme kundër policisë serbe dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Limani kishte simpati të jashtëzakonshme për ushtrinë tonë dhe për djemtë e vashat tona, që kishin rrokur armët për të luftuar për liri. Dëshira e zjarrtë e Limanit për t`iu bashkëngjitur luftetarëve të lirisë u realizua në qershor të vitit 1998, pikërisht, ně njësitet e komandant Fatmir Limaj – Çelikut.
Duke qenë se në atë kohë ndihej nevoja për furnizim me armë, Limani me shumë mund e sakrificë, me disa shokë, arriti ta kalonte kufirin shqiptaro-shqiptar, për t’u kthyer më l7 korrik 1998, në ditën kur filloi beteja për Rahovecin.
Më 19 korrik 1998, Limani së bashku me Sadik Shalën, Abdyl Gegajn, Brahim dhe Fatmir Zogajn, shkuan në fushëbetejën e Rahovecit atje ku zhvillohej një luftë e pabarabartë, por tejet heroike e UÇK-së. Pikërisht në këtë datë, një plumb i armikut e godet Limanin dhe shokun e tij Sadik Shalën, dhe kështu, së bashku kishin rënë në fushën e nderit, për të mos vdekur kurrë.
Trupi i Limanit nuk u gjet kurrë as sot e kësaj dite, ndërsa varri i tij dhe emri janë në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Kleçkë.
Emrin e Limanit e mori një batalion i Brigadës 121.
Për të nderuar veprën e tij heroike, familja e Liman Gegaj mori mirënjohje nga Organizata e veteranëve të luftës.