Ali Zogaj (27.06.1972-26.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte rritur në frymën atdhetare dhe ishte inspiruar nga familja për mënyrën se si duhet atdheu.
Ali -Zogaj u lind më 27 qershor të vitit 1972, në fshatin Lladroc të Malishevës, nga babai Bajrami dhe nëna Sherifja. Aliu kishte edhe dy vëllezër, Ramadanin dhe Ilirin.
Aliu e përfundoi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Malishevë, në drejtimin “Teknik Bujqësie”.
Për shkak të aktivitetit patriotik të familjes së tij, ata ishin ndaluar si familje që asnjë fëmijë i tyre të mos kishte të drejtë regjistrimi në universitet, andaj, I ndikuar nga kjo dhe nga kushtet e vështira ekonomike, ai kishte filluar punë në organizatën bujqësore, “Mirusha”, në Banjë të Malishevës.
Edhe përgjatë kohës sa ishte në shkollë të mesme, duke marrë inspirim nga babai i tij, Bajrami, Aliu ishte pjesëmarrës i rregullt në të gjitha protestat dhe demonstratat që atë kohë po zhvillonte populli shqiptar kundër pushtetit agresor serb.
Ali Zogaj hyri në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në maj të vitit 1998, duke e vulosur kështu vendosmërinë dhe dashurinë e tij për atdheun.
Për të forcës fizike dhe taktike, bashkëlufëtarët e tij ia kishin lënë pseudonimin “Forca”, dhe ashtu i fortë dhe i pathyeshëm kishte qëndruar deri në fund.
Ali Zogaj fillimisht ishte nën komandën e Ismet Jasharit – Komandant Kumanova, ndërkaq më vonë nën komandën e Fatmir Limajt – Komandant Çeliku. Pas vdekjes së komandant Kumanovës, ai ishte vendosur në Brigadën 121, “Ismet Jashari Kumanova”, në njësitin “Çeliku 3”, e cila ishte vendosur në mbrojtje të pikës strategjike të Grykës së Llapushnikut.
Në periudhën 9-26 korrik të vitit 1998, Ali Zogaj me bashkëluftëtarë ndërmorën shumë aksione kundër forcave kriminale serbe, në Fushticë, Carralevë, Komoran dhe disa pika të tjera strategjike.
Aksion shumë i suksesshëm ishte ai i 17-19 maj të vitit 1998, ku falë luftëtarëve të UÇK-së, ushtria serbe e mobilizuar dhe e armatosur mirë, nuk kishte arritur të depërtonte në Komoran as pas 16 orësh luftime e me përparësi të shumta në armatim.
Aliu me shokë mori pjesë edhe në ofensivën e fuqishme serbe të 24 korrikut të po atij viti, ku edhe pas përdorimit të një armatimi shumë të sofistikuar, prapë nuk kishte arritur të thyente mbrojtjen e UÇK-së, që po luftonin me zemër dhe me çdo mjet që kishin.
Prej 9 majit e deri më 26 korrik të vitit 1998, Ali Zogaj me shumë trima të tjerë ndërmori dhjetëra aksione të suksesshme kundër bandave serbe në Komoran, në Fushticë, në Carralevë dhe në shumë pika të tjera strategjike.
Duke e kërkuar me çdo kusht rrëzimin dhe marrjen e Grykës së Llapushnikut, si një pikë tejet strategjike lufte, ushtria serbe ishte rikthyer me arsenal shumë të fuqishëm më 25 korrik të vitit 1998.
Aliu së bashkë me disa bashkëluftëtarë ndodhej i vendosur në një bunker, të cilin e kishin bombarduar fuqishëm forcat serbe.
Ushtarët e UÇK-së luftuan pa ndaluar, derisa në një moment, breshëria e plumbave e kapë usharin Ali Zogaj, i cili mbetet i plagosur në betejë.
Bashkëluftëtarët e tij, Agon Krasniqi dhe Afet Bilalli, kishin arritur ta tërhiqnin Aliun, i cili kishte jetuar deri të nesërmen, më 26 korrik, kur edhe dha frymën e tij të fundit në këtë botë.
Aliu ishte varrosur po atë natë në varrezat e fshatit të lindjes, kurse ishte rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, në vitin 2001, aty ku prehen edhe bashkëluftëtarët e tij të Brigadës 121, “Ismet Jashari – Kumanova”.
Për të nderuar veprën dhe guximin e tij, Kompania III e Batalionit I të brigadës 121, mori emrin “Ali Zogaj – Forca”.
Menjëherë pas luftës, familja e tij mori mirënjohje nga Qeveria e Kosovës e asaj kohe, si dhe nga organizatat dhe shoqatat e dalura nga lufta.