Xhavit Kozhani (19.03.1966 – 26.5.1999) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu me dinjitet dhe vullnet të madh deri në rënien e tij në altarin e lirisë.
Xhavit Kozhani u lind në Ribar të Madh të Komunës së Lipjanit. Prindërit e tij, Ragipi dhe Mirishahja rritën tre vazja dhe tre djem.
Xhaviti shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, gjithashtu dhe shkollën e mesme teknike, në drejtimin e Xehëtarisë, në Lipjan.
Xhaviti dëshironte ta ndihmonte familjen e tij që të ishin më mirë ekonomikisht, prandaj edhe kishte në Kroaci, në qytetin e Pazin, Atje punoi punë të ndryshme fizike dhe ia arriti qëllimit të tij që ta ndihmonte sadopak familjen. Pas dy vitesh qëndrimi në Kroaci, ai ishte kthyer në Lipjan dhe ishte punësuar në Minierën e Magnezit në Golesh.
Në këtë punë, Xhaviti punoi me shumë dashuri dhe përkushtim, deri në marrjen e masave të dhunshme të regjimit të atëkohshëm, ku larguan nga puna të gjithë puntorët që ishin shqiptarë.
Xhaviti ishte i martuar me Feriden dhe nga kjo martesë kishin dy vajza dhe dy djem, Arbnoren, Mirishahen, Shkëlqimin dhe Qëndrimin.
Xhavit Kozhani ishte në dijeni për organizmin e grupeve të para të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në muajin maj të vitit 1998, Xhaviti i ishte bashkuar UÇK-së në fshatin Llapushnik, ku me vete kishte një pushkë të gjuetisë, të cilën e kishte rregulluar vetë.
Që nga koha e zënies së Grykës së Llapushnikut, Xhaviti qëndroi i palëkundur në istikamet e kësaj gryke, ku së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë, mbrojtën me trimëri frontet e tyre.
Komanda, duke parë shkathtësitë e Xhavitit, vendosi që ta pajiste me një mitroloz “PKT”, të cilin e zotëroi me burrëri deri në rënien e tij në altarin e lirisë.
Më datë 24 korrik të vitit 1998, në fshatin Fushticë, Xhaviti kishte marrë pjesë në luftimet që po bëheshin në këtë pjesë kundër forcave serbe.
Në kohën kur forcat paramilitare serbe po planifikonin dhe po përgatiteshin për ofensivën e 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, Xhaviti ishte njëri ndër ushtarët e parë në mbrojtje të Grykës së Llapushnikut, ku në mbrojtje të saj kishin rënë heroikisht dëshmorët Imer Alushani, Ali Zogaj, ndërsa ishin plagosur shumë bashkëluftëtarë të tjerë, të cilët ishin në gjendje mjaftë të rëndë.
Duke parë shkathtësitë, mençurinë dhe aftësinë e tij në organizimin e aksioneve, Brigada 12, “Ismet Jashari – Kumanova”, e emëron komandant të Skuadrës së Tretë, Toga e Parë e Kompanisë së Katërt të Batalionit të Dytë të kësaj brigade.
Xhavit Kozhani mori pjesë në shumë aksione të organizuara nga kjo brigadë, përfshirë edhe atë tek Guri i Gradinës, më 18 prill të vitit 1999, ku ranë dëshmorë Mentor Morina, Halim Bajraktari, Mentor Gashi, Islam Kastrati dhe Ramadan Bytyçi.
Pas disa ditëve, Xhavit Kozhani së bashku me bashkëluftëtarët e tij, ishin vendosur në hyrje të fshatit Shalë, ku ishin të pozicionuar përballë armikut. Aty ndodheshin shumë ushtarë në pozicione të ndryshme nga zonat përreth dhe më gjerë, kurse në këto pozicione ishte edhe ish-mësuesi i Xhavitit, Heset Sahiti, i cili ishte epror i UÇK-së.
Në maj të vitit 1999, forcat okupatore serbe kishin futur me mijëra luftëtarë në pyjet e Blinajës, ndërsa Xhaviti së bashku me shokët e tij po mbanin nën vëzhgim këtë terren, duke u munduar të siguronin hapësirë të sigurtë për banorët e kësaj zone, të cilët ndodheshin në këto pyje.
Me datë 26 maj, forcat militare serbe kishin filluar një sulm të madh kundrejt fshatit Ribar i Madh, ku në mënyrë mizore duke u tërhequr me vetura dhe mjete tjera ushtarake kishin vrarë Ajet Kozhanin, Nuhi Kozhanin, Vahide Kozhanin, Beqir Duriqin, Rrahim Hotin, Hamdi Hotin, ndërsa kishin plagosur rëndë Enver Hotin.
Xhavit Kozhani në hyrje të fshatit Zborc ishte vërejtur nga forcat serbe, të cilët e kishin sulmuar menjëherë me breshëri plumbash. Xhaviti menjëherë iu kundërpërgjigj forcave të armikut, duke zbrazur deri në fund karikatorin e armës së tij dhe duke sulmuar menjëherë forcat serbe, mirëpo fatkeqësisht nga sulmet e pandalshme të forcave okupatore serbe, Xhaviti kishte rënë dëshmor në altarin e lirisë.
Më datë 26 maj 2000, është vendosur një pllakë përkujtimore në vendin e rënies, në fshatin Zborc të Komunës së Shtimës.
Më datë 26 maj të vitit 2001, në Ribar të Madh është vendosur busti i dëshmorit Xhavit Kozhani, ndërsa më 12 qershor të vitit 2021, në qendër të Lipjanit është vendosur shtatorja e tij.
Sot emrin e dëshmorit e mban një rrugë në Lipjan pranë shtatores, një rrugë në Prishtinë dhe një rrugë në Ferizaj.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Kuvendi Komunal i Drenasit dhe nga instanca të tjera organizative të UÇK-së.