Mentor Gashi (26.04.1983-18.04.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili edhe pse i ri në moshë, nuk u ndaloi duke luftuar deri në frymën e tij të fundit në mbrojtje të tokave të Kosovës.
Mentor Gashi u lind më 26 prill të vitit 1983, në fshatin Llapushnik të Drenasit (ish-Gllogoc).
Mentori mësimet e para i kreu në fshatin Arllat, me sukses të shkëlqyeshëm, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Shkollën e Mesme Teknike, “Fan Noli”, në Besianë, sepse familja e tij bashkë me pjesën tjetër të fshatit u detyruan të shpërnguleshin atje për shkak të granatimeve të pandërprera në fshatin Llapushnik.
Mentori qysh në fëmijëri ishte shumë komunikativ, i shoqërueshëm dhe kureshtar që të dinte çdo gjë rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu, kjo dëshirë e madhe për të iu bashkuar UÇK-së, e bëri t’i linte mësimet dhe të kthehej sërish për ta mbrojtur fshatin e tij.
Pas kthimit të Mentorit, në fshatin e tij ende vazhdonin luftime të pandërprera nga forcat okupatore serbe. Mentori edhe pse kishte dëshirë të madhe të kapte armët në mbrojtje të fshatit, kjo gjë nuk i lejohej për shkak të moshës së tij të re, meqë ishte vetëm 15 vjeçar.
Mirëpo, Mentor Gashi, me etjen e madhe për çlirimin e vendit, nuk largohej asnjëherë nga luftëtarët e UÇK-së dhe ishte aty, kudo, për çdo kërkesë të tyre, më së shumti duke kryer shërbime në kuzhinën ushtarake të Batalionit “Imer Alushani”, e kështu me entuziazmin e tij të pandalur ishte radhitur edhe si luftëtar i këtij batalioni, në Brigadën 121, “Ismet Jashari-Kumanova”.
Në ditën më kritike të tij, më datën 18 prill 1999, Mentori ndodhej në malet e Berishës, pranë një bunkeri ushtarak, nga i cili ushtarët ruanin depërtimin e këmbësorisë armike në drejtim të “Gurit të Gradinës”. Ai ishte bashkë me ushtarin Islam Kastrati, kur një predhë minahedhësi e okupatorit serb i goditi ata, dukë lënë të dy të vdekur. Ai sapo kishte mbushur 16 vjeç kur ra dëshmor.
Po atë ditë, pas luftimeve që kishin zgjatur gjatë tërë ditës kishin rënë edhe dëshmorët, Ramadan Bytyçi, Mentor Morina dhe Halim Bajraktari, ndërsa ishin plagosur edhe disa luftëtarë të tjerë të lirisë.
Trupat e tyre, shokët i varrosën në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Kleçkë.
Familja e dëshmorit Mentori Gashi ka marrë mirënjohje për birin e tyre dëshmor nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës, si dhe nga Kuvendi Komunal i Drenasit.
Për të nderuar kontributin e dëshmorit, një rrugë sot mban emrin e tij.