Osman Krasniqi (06.02.1966 – 21.06.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte ndër të parët që u inkuadrua në UÇK, e deri në mbarim të luftës.
Osman Krasniqi u lind në fshatin Vukoc të Drenasit (ish-Gllogoc). Ai ishte biri i Adem dhe Naxhije Krasniqit. Osmani kishte katër vëllezër, Zeqirin, Nezirin, Nexhmedinin (luftëtar i UÇK-së) dhe Sefedinin, i plagosur gjatë luftës, si dhe tri motrat, Taiben, Selveten, e plagosur gjatë luftës dhe Rabën.
Osmani ishte i martuar me Hanifen, nga martesa e tyre u lind një djalë, Remziu dhe tri vajzat, Gentiana, Ardiana dhe Arjeta.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Komoran, ndërsa shkollimin e mesëm në gjimnazin “Skënderbeu” në Drenas (ish-Gllogoc), në drejtimin e Metalurgjisë. Ishte punësuar në shkritoren e “Feronikelit”, në Drenas.
Me fillimin e luftës në Drenicë, kryesisht në zonën e Llapushës, në muajin maj, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kishin zënë Grykën e Llapushnikut, ku pushtuesi serb nuk arriti të kalonte në magjistralen Prishtinë-Pejë, shumë të rinj, sikur edhe Osman Krasniqi, u inkuadruan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga beteja triumfuese, Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Grykën e Llapushnikut nuk kishte armatim të bollshëm, Osmani së bashku me luftëtarët e tjerë, më 3 qershor të vitit 1998, u nisën për në Shqipëri, me qëllim që të merrnin armë dhe municion. Por meqë luftimet nuk kishin të ndalur ata kthehen më 5 qershor të vitit 1998. Gjatë kthimit, ai dhe luftëtarët e tjerë bijnë në pritë të forcave armike, ku edhe ishin plagosur Osman Krasniqi, si dhe disa bashkëluftëtarë të tjerë, në mesin e tyre dhe një gazetar norvegjez. Pas tri dite, edhe pse i plagosur, Osman Krasniqi shkoi në pozicionet e Grykës së Llapushnikut,
Osmani nuk iu nda Grykës së Llapushnikut. Ai luftoi në betejën e 25 dhe 26 korrik të vitit 1998. Pasi forcat armike thyen mburojën e Grykës së Llapushnikut, Osmani i bashkohet Shtabit Lokal të fshatit Berishë dhe sistemohet në Kompaninë e Berishës, e cila ishte pjesë në Batalionin e Parë “Imer Alushani”, të Brigadës 121, “Ismet Jashari – Kumanova”.
Në ofenzivën e dytë, më 9 prill të vitit 1999, Osman Krasniqi së bashku me Mehdi e Arben Bytyçin dhe Sami Gashin, kishin sulmuar forcat serbe në fshatin Arllat, në magjistralen Prishtinë – Pejë. Osmani se bashku me luftëtarët e tjerë, e ndihmoi popullaten të tërhiqej nga fshati Arllat më 16 prill të vitit 1999, duke luftuar kundër armikut dhe duke i dalë në ndihmë popullit. Në këto luftime humbën jetën dëshmorët e lirisë Mehdi Bytyçi, komandant toge dhe Sylejman Bytyçi, ndërkaq ishin plagosur edhe disa luftëtarë të tjerë.
Nga lufta që po ndodhte në Kosovë për sigurinë e civilëve, të gjitha familjet e fshatrave ishin zhvendosur në malet e Llapushnikut, Berishës e Grykës së Nekocit. Në ato male, në turmën e shumë familjeve tjera ishte dhe familja e Osmanit, ku më 8 qershor të vitit 1999, forcat armike kishin goditur me predha e granata në një mal të Fshatit të Ri (ish-Gllanasellë), në vendstrehimin ku po qëndronte familja e dëshmorit, dhe nga goditja e predhës së raketës së tipit tokë-tokë, martirizohet nëna e Osmanit, Naxhija, ndërsa kishin marrë plagë edhe vëllai i tij, Sefedini dhe motra Selvetja. Nga ato goditje të forcave armike vdes dhe një fëmijë, Ilir Gashi, i cili ishte vetem dy vjeç, si dhe morën plagë dhe 17 civilë të tjerë nga popullata pë r rreth.
Osman Krasniqi mori pjesë në të gjitha betejat që u bënë në mbrojte të pozicioneve të varg maleve të Berishës. Më 10 qershor të vitit 1999, forcat armike serbe e kishin parë që e kanë humbur luftën dhe kishin minuar terrenin e Kosovës, që dhe kur të tërhiqeshin nga lufta me rastin e kapitullimit të tyre, të vriteshin ende shqiptarët, kështu që Osmani kishte bërë emër edhe në deminimin e vendeve të minuara.
Më 21 qershor, kur u dha lajmi i shumëpritur nga të gjithë shqiptarët për dëbimin e përjetshëm të forcave vrastare policore e ushtarake serbe nga Kosova, Osman Krasniqi së bashku me bashkëluftëtarin e tij Sami Gashi, kishin hetuar një fushë të minuar nga serbët në vendin e quajtur “Kroni i Karanocit”, afër shkollës së fshatit Arllat. Osmani dhe Samiu kishin lajmëruar forcat angleze. Ata së bashku me dy ushtarë anglezë kishin bërë demininin e terrenit afër fshatit. Gjatë tërheqjes së minave, një ushtarit anglez i shpëton mina nga dora, e cila aktivizohet dhe shpërthen. Atë ditë bien në altarin e lirisë, në tokën e çliruar të Kosovës, të cilën e çliruan me mund, gjak e luftë, Osman Krasniqi, Sami Gashi dhe Milazim Gashi, e po atë ditë ishin plagosur edhe luftëtari i lirisë, Hysen Murtez Gashi, si dhe dy ushtarë anglezë.
Osman Krasniqi u varros në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, me nderime të larta ushtarake.
Familja e dëshmorit Osman Krasniqi, për nder të kontributit të dëshmorit, mori mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Kuvendi komunal i Drenasit dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.