Avni Buçaj (15.08.1980 – 31.05.1999) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u bë ushtar duke qenë vetëm në moshën 17 vjeçare.
Avni Buçaj u lind më 15 gusht të vitit 1980, në Lladroc të komunës së Malishevës.
Ai ishte djali i vetëm i prindërve, babait Murselit dhe nënës Mendehie, të cilët kishin edhe vajzat Alien, Libaden dhe Resmien.
Avniu e përfundoi shkollën fillore në vendlindje, ndërkaq për kushteve të rënda ekonomike dhe regjimit të asaj kohe, atij i ishte pamundësuar shkollimi i mëtejmë. Ai qysh në moshë të hershme u bë krahë i prindërve dhe bënte punë të ndryshme fizike për të mbështetur financiarisht familjen e tij.
Duke parë luftën e pabarabartë që po zhvillohej ndërmjet ushtrisë kriminale serbe dhe ushtarëve të UÇK-së, si dhe duke përcjellë vuajtjet e popullsisë civile, të cilët po i paguanin më së shtrenjti pasojat e luftës, Avniu vendosi të mos qëndronte më duarkryq dhe mori vendimin që t’i bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çfarë të gjithë e kishin marrë me shumë rezervë, për shkak të moshës së njomë, por edhe faktit që ishte djali i vetëm i familjes.
Avniu si 17 vjeçar i ishte bashkuar Kompanisë së II-të, Batalioni IV, në Brigadën 121, “Ismet Jashari – Kumanova”.
Që nga momenti kur i ishte bashkuar UÇK-së, ai kishte marrë pjesë në shumë aksione dhe beteja, pa e lëshuar armën nga dora, me ç’rast në njërën prej tyre, në vendin e quajtur “Rrezja e Lladrovcit” kishte mbetur i plagosur dhe ishte dërguar për trajtim e shërim në spitalin ushtarak të Pagarushës. Ndonëse mjekët i kishin sugjeruar të pushonte derisa të shërohej, ai nuk kishte pranuar dhe në po të njëjtën ditë ishte kthyer në frontin e luftës për të ndihmuar bashkëluftëtarët e tij.
Më 31 maj të vitit 1999, duke filluar nga orët e para të mëngjesit, forcat armike serbe kishin ndërmarrë ofensivë të përmasava të gjera, në drejtim të fshatit Lladroc.
Në vendin e quajtur “Bregu i Memës”, kishin zënë pozicionet Avni Buçaj e Bafti Buçaj, së bashku me 18 bashkëluftëtarë të tjerë nga Lladroci. Derisa granatimet dhe bombardimet e armikut nuk kishin të ndalur, diku rreth orës 13:30, Baftiu dhe Avniu vrapojnë te shtëpia e Muart Buçajt, për të marrë municion dhe kur i afrohen 50m pikës së pozicioneve të luftëtarëve të lirisë, ata ishin goditur nga predhat e minahedhësit të armikut.
Edhe përkundër përpjekjeve të bashkëluftëtarëve për t’i shpëtuar, çdo gjë ishte e kotë dhe ata ranë në altarin e lirisë.
Varrimi i Avniut u bë në fshatin e tij të lindjes, e më pas u rivarros në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve, në Kleçkë.
Për të nderuar veprën dhe guximin e tij, familja e dëshmorit Avni Buçaj ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Kosovës e asaj kohe, si dhe nga shoqatat e dalura nga lufta.
Në dhjetor të vitit 2023, me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të Malishevës dhe institucioneve komunale, u bë përurimi i lapidarëve në fshatin e tyre të lindjes për tre dëshmorët e kombit, Avni Buçaj, Bafti Buçaj dhe Feriz Bibaj.