Feriz Bibaj (15.11.1974 – 29.06.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili iu përkushtua dhe i dha atdheut edhe gjënë më të shtrenjtë që kishte, jetën.
Feriz Bibaj u lind më 15 nëntor të vitit 1974, në Lladroc të Malishevës, nga babai Idrizi dhe nëna Syna. Nga kjo martesë eë tyre, përpos Ferizit, lindën edhe tre djem, Avdyli, Remziu dhe Hamiti.
Ferizi e përfundoi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, ndërkaq nuk arriti të vazhdonte shkollimin e mëtejmë shkaku i kushteve të rënduara ekonomike të familjes së tij, e po ashtu edhe shtypjes që regjimi jugosllav ushtronte ndaj familjes së tij, shkaku që xhaxhai i tij ishte i burgosur politik.
I rritur në frymë atdhetare, sikurse edhe shumë të rinj të tjerë, as Ferizi nuk e paramendonte më të jetuarit nën regjimin jugosllav, andaj filloi menjëherë aktivizimin e tij për të ndihmuar atdheun në momentet më vendimtare.
Duke parë vështirësitë me të cilat po përballej Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të siguruar armatim, ai vendosu që të punonte punë fizike dhe me paratë e fituara të blente një pushkë për veten. Në atë moment, ai edhe vendosi që tashmë ishte ushtar i kompletuar dhe do t’i shërbente atdheut të tij, kështu në qershor të vitit 1998, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në njëstimin “Pëllumbi”, në pikën e fshatit Astrazub të Malishevës.
Ferizi ishte kudo që kërkohej nevoja, bënte roje nëpër pika, furnizonte ushtrinë me gjëra esenciale, vëzhgonte terrenin dhe merrte pjesë në aksione e në luftë frontale kundër forcave serbe.
Kur kishte shpërthyer lufta e ashpër në Rahovec, Ferizi kishte gjetur formën që të depërtonte për të dhënë kontributin e tij dhe pas shumë vështirësive, kishte arritur të çante rrethimin e ushtrisë serbe dhe të kthehej për të luftuar në pozicionet ushtarake përkrah shokëve të tij të luftës.
Pas së ushtarëve në Lladroc të Malishevës, ai ishte bashkuar me Kompaninë e Dytë, “Ali Zogaj”, në këtë fshat, ku edhe kishte mbrojtur bashkë me shokë çdo pëllëmbë të kësaj zone, sidomos ai tregonte trimëri e guxim të pashoq kur ishte në pyetje ndalimi i forcave serbe drejt depërtimit të tyre tek popullsisë civile shqiptare, që po strehohej në mallet dhe grykat e asaj zone.
Ndonëse i kishte shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga qershori i vitit 1998, duke e pasur jetën të rrezikuar çdo ditë, ai arriti t’i mbijetonte çdo sulmi e sfide dhe fati deshi që ai të përjetonte edhe ditët e para të lirisë. Megjithatë, Ferizi e dinte që misioni i tij nuk kishte mbaruar ende dhe se duhej të sigurohej që çdo shqiptar i Kosovës të kthehej i sigurt në shtëpi.
Duke pasur parasysh që ishin përpjeket e tyre të fundit, forcat serbe u përkujdesen që të linin sa më shumë pasoja, andaj në tërheqje e sipër kishin lënë mina në tërë rrethinën e fshatit. Kështu, Ferizi ishte përkujdesur që të merrte pjesë në largimin e minave dhe në deminimin e terrenit, kur edhe ra në to më 29 qershor të vitit 1999.
Ai u varros me nderime të larta në Varrezat e Dëshmorëve, në Kleçkë.
Për të nderuar kontributin e dhënë deri në ditën e fundit të jetës në shërbim të atdheut, në fshatin e tij të lindjes, në Lladroc, është vendosur lapidari i tij, si edhe i dy dëshmorëve, Avni Buçaj dhe Bafti Buçaj.