Ky website është ende në proces të punës!

Naser Sh. Kelmendi

Naser Kelmendi (13.7.1976 – 14.12.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili me veprën dhe heroizmin e tij, la gjurmë të pashlyeshme për lirinë e vendit.

  • Jeta dhe familja

Naser Kelmendi u lind me 13 korrik të vitit 1976, në fshatin Karaçicë, në komunën e Shtimes. Ishte i biri i Shefki dhe Sevdije Kelmendit, të cilët përpos Naserit që ishte fëmija më i madh, kishin edhe 5 fëmijë të tjerë: Ymerin, Ymriun, Shpresën, Shyhreten dhe Nazmijen.

Naseri mësimet e para i filloi në fshatin e tij në Karaçicë (4 vite), për t’i vazhduar ato në fshatin Pjetërshticë deri në përfundimin e tetëvjeçares me sukses të shkëlqyeshëm. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Suharekë, e më pas u regjistrua edhe në fakultet, mirëpo thirrja e vendit për çlirim e peshoi më shumë sesa vazhdimi i studimeve, dhe kështu ai vendos t’i bashkohet vullnetarisht radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Veprimtaria

Naser Kelmendi gjithmonë u tregua i gatshëm që të dalë në mbrotje të fshatit të tij dhe të ishte bashkë me shokët e tjerë luftëtarë, mirëpo mungesa e municionit dhe armatimit e pamundësonte kyçjen e tij direkte dhe pajisjen me armë nga UÇK-ja. Përkundër kësaj, Naseri nuk u dorëzua dhe gjatë tërë kohës së pritjes për furnizim me armë, ai kryente detyra të tjera ushtarake, si hapja e istikameve, zhvendosja e populates, e gjithashtu shpesh bënte edhe roje para shtëpisë ku ndodhej shtabi lokal.

Naser Kelmendi, me rastin e strukturimit të UÇK-së, pranohet në radhët e Batalionit të Parë “Ruzhdi Saliu”, të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, mirëpo sërish mungesa e armatimit vazhdonte, kurse Naseri me padurim priste që sa më shpejt t’i jepej mundësia e armatimit. Gjatë tërë kohës së pritjes, ai mbante shënime në një ditar të vogël dhe shkruante për ndjenjat e emocionet e forta që përjetonte duke parë luftën që zhvillohej.

  • Rënia heroike

Më datë 2 nëntor 1998, Naseri bashkë me disa shokë të tjerë luftëtarë, niset për në Shqipëri për të marrë armatim e municion për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai, së bashku me disa luftëtarë të Batalionit “Ruzhdi Salihu”, të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, depërtuan në Shqipëri ku edhe qëndruan deri më datën 13 dhjetor të po atij viti, sepse kushtet e vështira atmosferike e bënin të pamundur kthimin e tyre në Kosovë.

Më datën 14 dhjetor, herët në mëngjes, ata vendosin që ta kalojnë kufirin. Armiku kishte përcjellë me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK-së, duke i zënë të gjitha pritat e supozuara nga ku do të futeshin. Sapo ushtarët tonë u afruan, forcat serbe fillojnë sulmin pandërprerë dhe aty përballen me një rezistencë të papërshkrueshme të luftëtarëve tanë. Përkundër rezistencës së madhe, Naseri bashkë me 34 luftëtarë të tjerë, bien në fushën e nderit, për t’u përjetësuar përgjithmonë në historinë e lavdishme të Kosovës.

Naseri më datën 22 dhjetor të po atij viti ishte varrosur në varrezat e Dëshmorëve të fshatit Polac të Drenicës.

  • Pas rënies heroike të dëshmorit Naser Kelmendi

Familja e Naser Kelmendit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e dala nga lufta çlirimtare.