Muhamet Gashi (10.06.1956 -12.04.1999)- ishte një ushtar i zellshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili luftoi në vargamlet e Berishës.
-Jeta dhe familja
Muhamet Gashi u lind në Llapushnik,ishte biri i Asllanit dhe nënës Sofia, nga martesa e tyre ata kishin dy djem: Muhametin dhe Bedriun, dhe dy vajza: Miniren dhe Sanien. Shkollën fillore deri në klasën e katërt e përfundoi në Llapushnik, ndërsa tetëvjeçaren e përfundoi në Komoran, në shkollën fillore “Jeta e Re”, ndërsa shkollimin e mesëm në Drenas-drejtimi elektroteknikë. Në vitin 1974, Muhameti u punësua në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku vazhdoi punën e tij deri në vitin 1990.
Demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981 kishin aktivizuar të gjitha shtresat e popullsisë së Kosovës për t’u ngritur në këmbë dhe për të kundërshtuar regjimin e atëkohshëm; edhe klasa punëtore iu përgjigj masivisht. Muhamet Gashi në atë kohë ishte në rreshtat e parë të demonstratave duke kërkuar realizimin e kërkesave të popullit.Ai ishte ndër të parët në komunën e Drenasit që organizoi protesta për të kundërshtuar masat e dhunshme të pushtetit të atëkohshëm.
Më datën 03.09.1990, Muhameti largohet nga puna pasi menaxhmenti serb i vendit ku punonte i kishte kërkuar të nënshkruante deklaratën e lojalitetit ndaj shtetit okupues serb. Gjatë periudhës 1995-1997, Muhameti për shkak të problemeve shëndetësore shkoi në Gjermani për trajtim të sëmundjes së tij. Mirëpo, edhe pse kishte kërkesë që të qëndronte në Gjermani, prapëseprapë Muhameti vendosi të kthehej në Kosovë dhe ta ndante fatin e tij me të gjithë popullin Kosovar.
-Veprimtaria
Me të filluar lufta në Drenicen Legjendare, Muhameti me 26 mars 1998 inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës në njesitin “Pëllumbi” në fshatin Negroc. Në qershor të vitit 1998, Muhameti, së bashku me dhjetëra bashkëluftëtarë të tjerë, iu nis kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë për t’u pajisur me armatim. Forcat serbe kishin marrë informacione të sakta për këtë rrugëtim që dëshironin të bënin pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, andaj u kishin vënë prita në fshatin Mazrek. Për këtë arsye, Muhameti dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë, në pamundësi kalimi, u detyruan të ktheheshin mbrapa, ku më vonë u pajis me një mitraloz të cilit i kishte qëndruar besnik deri në rënien e tij heroike.
Muhamet Gashi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij si: Fatmir Gashi, Rafet Sopi, Elmi Sopi, Avni Gashi, Jahir Sopi, Nasuf Gashi dhe shumë djem e vajza të tjera, të cilët ishin plot vullnet për të luftuar për vendin e tyre dhe për të mbrojtur tokat arbërore, të gatshëm për të vdekur vetëm për të mos lejuar okupatorin serb të bënte padrejtësitë që kishte bërë për vite të tëra.
Muhamet Gashi ishte një strateg dhe luftëtar i guximshëm. Duke parë sukseset e tij në luftimet e 8-9 dhe 29 majit, më pas në luftimet e Grykës së Llapushnikut, në ofensivën e 25-26 korrikut të vitit 1998, ai u emërua zëvendëskomandant i Kompanisë së I të Batalionit të III-të të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës.
-Rënia heroike
Pas luftimeve mjaft të ashpra ndërmjet forcave të armikut dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 12 prill të vitit 1999, pas sulmeve të pandalshme disa orëshe drejt istikameve të UÇK-së dhe popullsisë civile, forcat serbe kishin vazhduar sulmet edhe me këmbësori drejt fshatrave Negrovc, Nënkala, Gullubovc, Poterrk dhe fshatrave të tjera. Pas sulmeve tejet të ashpra dhe në distanca mjaft të afërta, bie heroikisht për të mos vdekur kurr heroi i Kosovës, Muhamet Gashi.
– Pas rënies heroike
Dëshmori Muhamet Gashi, u varros më pas, me nderime të larta ushtarake në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë.Ai la pas vete bashkëshorten Zyrafeten dhe fëmijët Mehdiun, Lenditën, Arditën, Alberditën, Asllanin, Liridonën dhe Albanën.
Më datën 28.08.2020, Muhamet Gashi pranoi urdhrin “Heroi i Kosovës”. Mirënjohje për dëshmorin kanë dhënë edhe Komuna e Drenasit dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. Sindikata Energjetike e Kosovës ndan mirënjohje për angazhimin në punë dhe aktivitet sindikal. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë mirënjohje familjes së dëshmorit Muhamet Gashi. Për nder të dëshmorit Muhamet Gashi, në Drenas një rrugë është quajtur në emrin e dëshmorit Muhamet Gashi.