Ky website është ende në proces të punës!

Vezir H. Kolshi

Vezir Kolshi (17.01.1970 – 01.04.1999)- ishte ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai luftoi në zonën e Dukagjinit dhe Pashtrikut.

-Jeta dhe familja

Vezir Kolshi u lind në fshatin Baicë të komunës së Lipjanit, në një familje liridashëse. Prindërit e tij, Haziri dhe Drita, kishin katër fëmijë: Vezirin, Nezirin, Elmazen dhe Nurien. Veziri kreu shkollimin fillor në fshatin Shalë, Veziri u detyrua nga kushtet e vështira ekonomike të emigronte në Keln, Gjermani, ku punoi për të mbështetur financiarisht familjen e tij.

-Veprimtaria

Në maj 1998, Vezir Kolshi u kthye në Kosovë dhe u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,fillimisht në shtabin e Gllogjanit, pastaj në pika të ndryshme në Deçan dhe Rahovec. Me kalimin e kohës, ai u stacionua në njësitin “Pëllumbi” në fshatin Negroc të Drenicës dhe më vonë në pikën e UÇK-së në Baicë, ku formohet Kompania e Tretë e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”. Veziri u transferua më vonë në fshatin Tërpezë, ku luftoi pranë Halil Kolshit. Në nëntor 1998, Veziri iu bashkua Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë, nën komandën e Tahir Sinanit. Më 16 mars 1999, ai dhe një grup i Njësisë Speciale shkuan në ndihmë të luftëtarëve në fshatin Llaushë të Drenicës, duke qëndruar atje deri më 31 mars.

 -Rënia Heroike

Më 1 prill 1999, pas një ofensive të fortë të forcave serbe, Veziri dhe shokët e tij u vendosën në pozicionet mbrojtëse afër shkollës së fshatit Tërpezë. Në luftime të ashpra dhe të pandërprera, një predhë serbe goditi pozicionin ku ishin Veziri dhe Xhavit Kelmendi, duke shkaktuar vdekjen e tyre. Veziri u varros më 1 prill 1999 në varrezat e fshatit Baicë dhe më pas u rivarros më 21 gusht 1999 në Kleçkë.

-Pas rënies heroike

Familja e Vezirit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së,dhe institucione të tjera të larta të vendit. Shkolla fillore në Baicë të Lipjanit mban emrin e tij me krenari, për të nderuar kujtimin e sakrificës dhe heroizmit të tij.