Hysni Murseli (10.07.1966 – 08.01.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u inkuadrua ndër të parët në radhët e UÇK-së.
Hysni Murseli u lind në fshatin Nekoc të Drenasit (ish-Gllogoc). Ai ishte i biri i Danush dhe Zela Murselit.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Nekoc, ndërsa shkollimin e mesëm në Drenas, drejtimi Biologji.
Hysniu shkoi në Slloveni në vitin 1987, ku atje kishte dhe vëllaun e tij Rexhepin. Së bashku punuan për t’i plotësuar kushtet dhe nevojat e familjes. Por, në vitin 1993, Hysniu ishte kthyer në vendlindje.
Pas rënies heroike të familjes Jashari në Prekazin legjendar, popullata ishte e përgatitur për luftë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte shtrirë në shumë fshatra të Drenicës, ku njërën nga pikat e kishte edhe në atë të fshatit Nekoc, në odën e dëshmorit të lirisë, Gani Kastrati, i cili ishte inkuadruar njëri ndër të parët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në këtë pikë të UÇK-së ishin inkuadruar shumë të rinj të fshatit.
Më 9 maj të vitit 1998, luftëtarët e lirisë e zënë Grykën e Llapushnikut, ku në këtë betejë ishte dhe Hysni Murseli, së bashku me shumë trima të tjerë. Pas zënies së Grykës së Llapushnikut e cila mbrohej nga UÇK-ja, grupi i çlirimtarëve u pozicionua në Blinajë, nga ku pritej intervenimi i forcave policore serbe. Atë kohë, njësitet e UÇK-së kishin krijuar pikat në të gjitha fshatrat e Drenicës. Luftëtarët e Nekocit dhe fshatrave përreth e kishin nën kontroll Grykën së Llaushnikut dhe Grykën e Carralevës, deri në sulmin e fuqishëm nga forcat armike serbe, të cilat më 24 dhe 25 korrik të vitit 1998, me gjithë arsenalin e tyre, bombarduan dhe dogjën fshatrat përrreth, për ta thyer mburojën e Grykës së Llapushnikut. Hysni Murseli, së bashku me shumë trima të tjerë, kishin marrë pjesë në luftime në mbrojtje të Grykës së Llapushnikut, në Carralevë, në Zborc dhe në Blinajë.
Hysni Murseli komandohej nga udhëheqësi Emrush Çakaj, e më pas ky njësit kaloi në Batalionin e Parë “Imer Alushani”, të Brigadës 121, “Ismet Jashari – Kumanova”.
Më 8 janar të vitit 1999, Hysni Murseli së bashku me Xhemajl Alushanin, Agim Sylën dhe një ushtar tjetër nga Shala, kishin marrë rrugën për në fshatin Magure.
Hysniu me Xhemajlin dhe Agimin rrugës afrohen afër postbllokut të policisë serbe, Forcat policore kishin marrë në shënjestër veturën, e cila po lëvizte në drejtimin të postbllokut dhe kishin nisur ta godasnin veturën. Nga zjarri i armëve armike ishte plagosur për vdekje, Hysni Murseli, ndërsa Xhemajl Alushani dhe Agim Sylaj, kapën të gjallë të cilët i arrestojnë policët serbë. Gjatë qëndrimit në burg maltretohen nga forcat serbe dhe i kishin mbajtur në burg deri në vitin 2001.
Familja e dëshmorit gjatë luftës ishte zhvendosur si e gjithë popullata në Grykën e Gashit, ku ishte vend i sigurt dhe mbrohej nga UÇK-ja. Hysniu e kishte gruan shtatzënë dhe pas pesë muajve pas rënies së dëshmorit, bashkëshortja Fatmirja lind djalë, të cilit ia vendos emrin e babait dëshmor, Hysni.
Hysni Murseli është varrosur me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Kleçkë.
Në nderim dhe përkujtim të jetës heroike, në fshatin Nekoc janë ngritur shtatoret e tre dëshmorëve, Hysni Murseli, Gani Kastrati dhe Azem Kastrati
Familjes së dëshmorit, për nder veprës dhe sakrificës së Hysni Murselit, i janë dhënë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Kuvendi Komunal i Drenasit dhe shoqatat e dala nga lufta.