Sadri Gauraziu (1980-1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili aktivitetin e tij atdhetar e nisi që nga fëmijëria dhe ishte vetëm 17 vjeçar kur iu bashkua luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Sadri Guraziu u lind në vitin 1980, në fshatin Bllacë të komunës së Therandës (ish-Suharekë), nga prindërit Sevdija dhe babai Hasani.
Vinte nga një familje atdhetare dhe kjo gjë më së miri vërtetohet me angazhimin e tij në UÇK kur ishte vetëm 17 vjeçar, meqë vetëdija e tij kombëtare ishte shumë e lartë, ani pse në moshë fare të njomë.
Viti 1998 shënon kulmin e fillimit të një reformimi në vetëdijen kombëtare, dhe të inspiruar nga të bëmat atdhetare të njëri-tjetrit, dhjetëra të rinj të fshatit Bllacë iu bashkuan radhëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai pse edhe 17 vjeçar, mori armën dhe i ishte bashkangjitur Brigadës 121, “Ismet Jashari-Kumanova”, përkatësisht Kompanisë “Bislim Zekolli”, në Bllacë.
Sadri Guraziu në moshë shumë të re kishte arritur të bindej se vetëm lufta do ta largonte Serbinë nga Kosova dhe mendonte se kjo do të ishte lufta e fundit me armë e shqiptarëve. Ai shpresonte se pas kësaj lufte do të bëhej realitet liria e ëndërruar brez pas brezi prej shqiptarëve dhe shpresonte se pas kësaj lufte shqiptarët nuk do të mashtroheshin më.
I riu Sadri Guraziu u trishtua shumë në mbrëmjen e 31 marsit të vitit 1999, kur dëgjoi për vrasjen e Shaban Iballit.
Ai e kishte Shabanin shok të fëmijërisë, shok loje në futboll e kudo tjetër ishin bashkë. Bashkë kishin lënë lojën edhe e kishin kapur pushkën për të luftuar kundër pushtuesit serb.
Më 16 prill të vitit 1999, në orën 19:00, derisa Sadriu po vëzhgonte terreni së bashku me Zaim Pirkun, një predhë e armikut erdhi nga fshati Temeqinë, ku ishin të vendosura forcat kriminale serbe, e goditën dëshmorin e kombit Sadri Guraziun, i cili të vetmin ideal e kishte çlirmin dhe lirinë e Kosovës.
Në kohën kur i biri i ra dëshmor, nëna e tij ndodhej në Kukës së bashku me pjesën tjetër të familjes dhe mijëra shqiptarë të tjerë të Kosovës që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Kur asaj iu kumtua ky lajm, ajo si një nënë e fortë shqiptare kishte thënë: “I kam edhe 5 djem atje në luftë, por si edhe ata të kishin ra dëshmorë në këtë luftë, unë do të isha krenare edhe më shumë, se nuk ka qenë rasti i luftes kush po shpëton e kush po vritet, por a po fitojmë dhe a po çlirohemi njëherë e përgjithmonë”.
Për të nderuar veprën e dëshmorëve të lirisë, në lagjen Sukaj të fshatit Bllacë, është i vendosur lapidari i dëshmorëve të lirisë, në mesin e të cilëve është i skalitur edhe emri i dëshmorit Sadri Guraziu.
Emrat e atyre që ranë në altarin e lirisë të këtij fshati janë: Sadri Guraziu (1980-1999), Imer Krasniqi (1957-1998) nga Carralluka e Malishevës, Bislim Zekolli (1953-1998), Mehmet Lumi (1969-1999), Shaban Iballi (1971-1999), Sahit Tixha (1974-1999), nga Arbana e Prizrenit, Kadri Qollaku (1981-1999) dhe Salih Kermeni (1983-1999).
Për çdo vit, këta dëshmorë përkujtohen më 7 qershor, në lagjen Sukaj, ku prehen edhe emrat e tyre në Lapidarin e Lirisë.
Për të përjetësuar emrin e tij, një rrugë në fshatin Bllacë është emëruar “Sadri Guraziu”.