Nimon Bajraktari (22.02.1947-06.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, i cili ishte një prej themeluesve të UÇK-së, në fshatin Rudica të Klinës.
Jeta dhe familja
Nimon Bajraktari u lind në fshatin Rudicë, komuna e Klinës. Rrjedh nga një familje atdhetare.Prindërit e dëshmorit Nimon Bajraktari, Shaban dhe Hatmane Bajraktari kishin shtatë fëmijë: pesë djem dhe dy vajza. Ai ishte fëmija më i vogël në familje.
Shkollën fillore, Nimon Bajraktari e kreu në fshatin Budisalc të Klinës, të mesmen në Pejë, ndërsa Shkollën e Lartë në Prishtinë. Në vitin 1967 punësohet në Xeheroren e Volljakës, ku punoi deri në vitin 1990, kur regjimi serb e largoi me dhunë nga vendi i punës.
Dëshmori Nimon Bajraktari ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes katër fëmijë: dy djem dhe dy vajza.
Veprimtaria
Nga viti 1981 e deri me fillimin e luftës, Nimon Bajraktari ka marrë pjesë aktive në demonstrata, revolta e protesta që janë zhvilluar në Klinë, në Pejë dhe në Prishtinë. Është arrestuar, është rrahur dhe është keqtrajtuar në stacionet e policisë në Klinë dhe në Istog.
Më 3 korrik të vitit 1998, në mënyrë ilegale djemtë dhe luftëtarët e Rudicës formojnë Shtabin e UÇK-së për fshatin. U detyruan të veprojnë në këtë mënyrë, meqë Rudicat ishin të banuara edhe me serbë.
Rënia heroike
Pas kontakteve të bashkëfshatarit të Nimonit, Bashkim Mehmetaj, me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinajn, vendoset që grupi prej dhjetë burrave të Rudicës t’iu bashkëngjitet grupit prej qindra luftëtarëve për armatim në Shqipëri, ku duhej nisur nga fshati Gllogjan së bashku. Gjatë rrugës, në fshatin Dobërdol të komunës së Pejës, i cili është i banuar edhe me serbë, hasin në një pritë të forcave policore dhe ushtarake, të cilat i arrestojnë, i keqtrajtojnë dhe me tri vetura i nisin për në Pejë. Në veturën e tretë ndodheshin Nimon Bajraktari, Bashkim Mehmetaj dhe Haki Ahmetxhekaj. Në udhëkryqin Loxhë-Gorazhdec, ekzekutohen nga policët përcjellës, mu në punktin policor që ishte vendosur aty. Varrimi i tyre bëhet në Pejë. Ndërsa, rivarrimi më 27 shtator 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan me nderime të larta ushtarake.
Pas rënies heroike
Në shenjë nderimi për heroizmin e dëshmorit Nimon Bajraktari është organizuar akademi përkujtimore, ku kanë marrë pjesë ish-udhëheqës të UÇK-së dhe liderë shtetëror.
Gjithashtu, dëshmori është dekretuar me dekoratën “Shkelzen Haradinaj” dhe mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga Shoqatet e dala nga lufta.