Haki Ahmetxhekaj (30.03.1975-06.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, i cili ishte një prej themeluesve të UÇK-së, në fshatin Rudica të Klinës.
Jeta dhe familja
Haki Ahmetxhekaj u lind në fshatin Rudicë, komuna e Klinës. Prindërit Abaz dhe Xhejlane Ahmetxhekaj, lindën dhe rritën katër fëmijë: dy djem dhe dy vajza. Hakiu ishte fëmija i dytë me radhë.
Shkollën fillore, Hakiu e kreu në fshatin Budisalc të Klinës, ndërsa gjimnazin në Klinë. Studimet i vazhdoi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë deri në vitin e dytë.
Veprimtaria
Më 3 korrik të vitit 1998 formohet Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për fshatin Rudicë. Kjo u bë në ilegalitet, meqë në fshat ndodheshin rreth 30 shtëpi serbësh, pikërisht në shtëpinë e MustafëMehmetajt, ku u emërua komandanti, zëvendëskomandanti si dhe ndihmëskomandanti.
Rënia heroike
Më 4 korrik organizohen dhjetë burra, djem të rinj, për të shkuar për armë në Shqipëri. Më 6 korrik, në rrugë e sipër për në Gllogjan, prej nga duhej të niseshin qindra luftëtarë për furnizim, në fshatin Dobërdol të Pejës, bijnë në një pritë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe. Me këtë rast, i zënë, i keqtrajtuar në mes të fshatit, para syve të civilëve serbë dhe i nisin për në Pejë me tri vetura. Në veturën e tretë, ku ndodheshin Haki Ahmetxhekaj, Bashkim Mehmetaj dhe Nimon Bajraktaraj, në vendin e quajtur Qerhane, në udhëkryqin Loxhë-Gorazhdec, policia serbe i ekzekuton. Varrimi i tyre bëhet nga Vakëfi i qytetit Pejë. Ndërsa, më 27 shtator 1999, rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit me nderime të larta ushtarake.
Pas rënies heroike
Në shenjë nderimi për heroizmin e dëshmorit Haki Ahmetxhekaj është organizuar akademi përkujtimore, ku kanë marrë pjesë ish-udhëheqës të UÇK-së dhe liderë shtetëror.
Gjithashtu, dëshmori është dekretuar me dekoratën “Shkelzen Haradinaj” dhe mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga Shoqatet e dala nga lufta.
Gjithashtu, janë ngritur lapidarë për të tre dëshmorët nga fshati Rudicë, Haki Ahmetxhekaj, Nimon Bajraktari e Bashkim Mehmetaj, që ranë në rrugën e tyre për të sjellur armët e lirisë.