Ky website është ende në proces të punës!

Bashkim Mehmetaj

Bashkim Mehmetaj (15.02.1976-06.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, një ndër themeluesit e UÇK-së, në fshatin Rudica të Klinës.

Jeta dhe familja

Bashkim Mehmetaj u lind në fshatin Rudicë, komuna e Klinës. Bashkim Mehmetaj rrjedh nga një familje me tradita patriotike.Prindërit Xhafer dhe Hatixhe Mehmetaj, kishin shtatë fëmijë: katër djem dhe tri vajza.

Shkollën fillore, Bashkimi e kreu në fshatin Zallç të Istogut, ndërsa atë të mesme në Klinë.

Veprimtaria

Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fshati Rudicë bëri një organizim, si këshill emergjent për t’i ndihmuar zonat e përfshira në luftë. Më 3 korrik të vitit 1989 në mënyrë ilegale u zgjodhën djemtë më të mirë të fshatit për organizimin e luftës.

 Rënia heroike

Më 4 korrik Bashkim Mehmetaj bashkë me Nimon Bajraktarin, dkontaktojnë me komandantin e ZOD-it, Ramush Haradinaj në Gllogjan, ku u morën vesh, se para se të hyjnë në luftë, të shkojnë në Shqipëri për t’u armatosur. më 6 korrik, dhjetë djem nga Rudica u nisën për Shqipëri, në mesin e të cilëve ishte edhe dëshmori Bashkim Mehmetaj. Me vete kishin një sasi të madhe parashë, në mënyrë që të sjellin sa më shumë armatim e municion. U nisën në drejtim të fshatit Loxhë. Siç dihet, më 5 korrik në fshatin Loxhë ishte zhvilluar një luftë e ashpër dhe heroike në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Në anën e këtyre të fundit, kishin luftuar edhe serbët e Gorazhdecit dhe të Dobërdolit. Në fshatin Dobërdol bijnë në një pritë të ushtrisë, policisë dhe të paramilitarëve serbë, mu në ditën kur në fshatin tjetër serb, në Gorazhdec, ishte krimineli Vojisllav Sheshel, i cili kishte ardhur të vizitonte këtë fshat. U arrestuan nga forcat serbe dhe u dërguan në Gorazhdec duke i keqtrajtuar në mënyrë shtazarake. Më vonë i nisin në drejtim të Pejës. Dy automjetet e para shkuan në Pejë, ndërsa në automjetin e tretë ishin disa policë, si dhe Bashkimi me dy bashkëfshatarët, Haki Ahmetxhekajn dhe Niman Bajraktarin. Në rrugë për Pejë, në vendin e quajtur Dardania III në rrugë vërejtën tre policë serbë të vrarë. Policët përcjellës të tre dëshmorëve, nga egërsia i vranë tre dëshmorët nga Rudica, në vendin e quajtur Qerhane, te udhëkryqi Gorazhdec-Loxhë, ku ndodhej punkti serb. Më 8 korrik i varrosi Vakëfi i Pejës. Ndërsa më 27 shtator 1999 u bë rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.

Pas rënies heroike

Në shenjë nderimi për heroizmin e dëshmorit Bashkim Mehmetaj është organizuar akademi përkujtimore, ku kanë marrë pjesë ish-udhëheqës të UÇK-së dhe liderë shtetëror.

Gjithashtu, dëshmori është dekretuar me dekoratën “Shkelzen Haradinaj” dhe mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga Shoqatet e dala nga lufta.

Gjithashtu, janë ngritur lapidarë për të tre dëshmorët: Bashkim Mehmetaj, Nimon Bajraktari e Haki Ahmetxhekaj, që u flijuan për një ditë dhe në një vënd, në një betejë dhë për një qellim, për çlirimin e atdheut.