Arben Ahmetaj (18.01.1970-13.08.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit.
Jeta dhe familja
Arben Ahmetaj u lind në fshatin Gllogjan, komuna e Deçanit, në një familje të mesme fshatare, por me tradita kombëtare. Familja Ahmetaj asnjëherë nuk u gjunjëzua para presioneve të regjimit serb për pesëdhjetë vjet në Kosovë. U keqtrajtuan, sidomos më 1956, në aksionin famkeq të kërkimit të armëve në stacionin e policisë në fshatin Hereq. Në vitin 1981, axha i dëshmorit, Din Ahmetaj, u dënua me tre vjet burg si anëtar i Komitetit të vendit me seli në Gllogjan. Prindërit e dëshmorit, Bajram dhe Nepe Ahmetaj, lindën dhe rritën tetë fëmijë: pesë djem dhe tri vajza. Arben Ahmetaj shkollën fillore e kreu në Irzniq.
Veprimtaria
Në protestat dhe revoltat e viteve nëntëdhjetë u solidarizua ndër të parët. Më 1 tetor 1997 u ra në sy forcave policore në Pejë, për çka edhe e keqtrajtuan fizikisht. Pas ofensivës së lavdishme të 24 marsit 1998 në Gllogjan, ku komandanti Ramush Haradinaj bashkë me vëllezërit i theu forcat serbe dhe njëherësh doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Arben Ahmetaj menjëherë u inkuadrua në radhët e saj, pikërisht më 28 mars të vitit 1998. Me përkushtim prej luftëtari arriti ta përvetësojë armën kundërajrore “Gulinov”. Mu për këtë edhe e emërojnë komandant të njësitit kundërajror, në Zonën operative të Dukagjinit. Mori pjesë në të gjitha vijat e frontit në Dukagjin, si në Baballoq, Prejlep, Carrabreg, Jabllanicë të Dushkajës ku tregoi aftësi prej luftëtari të devotshëm.
Rënia heroike
Njësiti i tij shpesh bëri zmbrapsjen e forcave serbe. Cilësi të larta luftarake tregoi sidomos në luftimet e 9-13 gushtit të vitit 1998 në vijën e frontit Gramaqel-Shaptej-Gllogjan. Në këto luftime ra heroikisht dëshmori i kombit Arben Ahmetaj nga dora kriminale serbe, pikërisht në fshatin Irzniq, pas një lufte të ashpër të zhvilluar më 13 gusht 1998. Po në këto luftime, më 11 gusht, u plagos edhe i vëllai Astriti, në frontin tjetër të luftimeve në fshatin Shaptej. Trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Pas rënies heroike
Familja e dëshmorit Arben Ahmetaj është nderuar me mirënjohje të shumta nga Qeveria e Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së etj.
Në shenjë kujtimi e nderimi, në vendin e rënies heroike të dëshmorit Arben Ahmetaj është e ngritur pllaka përkujtimore.