Jakup Agushi (28.03.1963-30.08.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit.
-Jeta dhe familja
Jakup Agushi lindi, në fshatin Drenoc të komunës së Klinës. Gjyshi i dëshmorit ishte pjesëtar i Lëvizjes Kaçake të Nue Përlleshit. Babai dhe axha, edhe pse të rinj në moshë, morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore.
Prindërit Sokol dhe Fatime Agushi kishin dhjetë fëmijë: gjashtë djem dhe katër vajza. Dëshmori Jakup Agushi ishte i treti më radhë.
Jakup Agushi u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, por për shkaqe ekonomike dhe politike nuk arriti ta kryej.
-Veprimtaria
Në vitin 1984, Jakup Agushi u burgos në Mal të Zi, ku punonte si punëtor krahu. Deri në hyrjen e masave të dhunshme, punoi në Fabrikën e Elektromotorëve në Gjakovë.
Mori pjesë në të gjitha protestat dhe revoltat kundër regjimit serb. Meqë vëllai, Alushi (“Mala”), ishte sistemuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qysh në vitin 1994, edhe Jakupi në vitin 1996 hyri në njësitin 1992 te komandant “Mala”. Gjatë veprimit illegal, dëshmori Jakup Agushi kreu detyra me rëndësi, vëzhgim, mbikëqyrje armatimi, të depove, shpërndarje armatimi etj., sidomos në aksionet që kryheshin kundër stacioneve policore nga ana e njësitit 192 të UÇK-së.
-Rënia heroike
Në ofensivën e 28 qershorit 1998, në fshatin Drenoc të Klinës, komandant “Mala” u gjend në Jabllanicë të Dushkajës. E lajmërojnë përmes radiolidhjes, ku komandanti urdhëron të vllanë, Jakupin, të veprojë sipas marrëveshjes, duke i dalë në pozicionet e luftës që ishin përgatitur më herët. Lufta filloi pasdite dhe vazhdoi deri në mbrëmjen e 30 qershorit, kur Jakup Agushi me një grup ushtarësh të UÇK-së, hyri në fshat, me ç’rast i kontrolloi të gjitha pozicionet e luftës. Kjo betejë me forcat serbe pësuan keq, duke lënë 25 ushtarë e policë të vrarë, si dhe u plagosën 60 të tjerë, të konfirmuar nga ana e vetë ushtrisë serbe.
Në këtë betejë, u plagos rëndë Jakup Agushi, i cili vdiq më 30 qershor 1998, për të mbetur emër i pashuar në historiografinë shqiptare.
U varros në vendlindje, ndërsa më 24 gusht 1999, trupi i dëshmorit u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit.
Pas rënies heroike
Portreti i dëshmorit Jakup Agushi është skalitur në lapidar, pranë Dëshmorëve dhe Martirëve të Drenocit të Klinës.
Dëshmori Jakup Agushi nderohet edhe me aktivitet sportiv me turnirin tradicional në futboll të vogël për nder të tij që mbahet në qytetin e Klinës.
Për dëshmorin Jakup Agushi, është ndarë dekorata me urdhrin “Hero i Kosovës”, nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës. Hashim Thaçi, duke e vlerësuar trimërinë dhe sakrificën e tij si themele të lirisë dhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Trimat si Jakup Agushi, të cilët bien në fushë të nderit, pas vete lënë gjurmët, lënë emrin, lënë këngën dhe dashurinë e pashuar që valëvitet nëpër kujtime brezash.