Ky website është ende në proces të punës!

Sinan Morina

Sinan  Morina (16.07.1968-28.05.1999), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit. Ai me rënien heroike për liri, ngriti flamur të përjetësisë për familjen dhe kombin shqiptar.

-Jeta dhe familja

Sinan Morina u lind,në fshatin Rixhevë të komunës së Klinës, nga nënë Shefkija e babë Haradini. Ai u rrit në një familje të njohur për bujari dhe atdhedashuri. Të parët e kësaj familje ishin pjesëmarrës në luftërat e lëvizjes kaçake. Babai i dëshmorit u keqtrajtua në stacionin policor në Gllarevë me pretekst të kërkimit të armëve.

Prindërit Haradin dhe Shefkie Morina kishin gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Sinani ishte më i riu ndër fëmijët. Shkollën fillore e kreu në Gllarevë, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, në Kijevë. Nga shkolla e mesme u largua me pretekst të pjesëmarrjes në demonstrata, por e kreu më vonë. Mori pjesë në demonstratat në Klinë, Kijevë etj.
Si nxënës dhe i ri emri i tij u theksua shumë nga gjenerata për aftësitë artistike, sportive e organizative, të aktiviteteve që merrnin frymë e jetë me kontributin e tij.

Veprimtaria

Stuhitë e jetës, e skalitën Sinanin, qysh në moshë të re. Në vitin 1987 shkoi në Mal të Zi për të punuar si punëtor krahu. Në vitin 1989 i kërkuar nga organet e sigurimit të kohës detyrohet të emigrojë në Kroaci. Më 1993 shkon në Gjermani ku u njoh me veprimtarë në ilegalitet për çështjen kombëtare, sidomos me të UÇK-së.

Më 1997, ai lë kurbetin dhe kthehet në vendlindje, për ta shkruar historinë e cila do ta bëjë atë të pavdekshëm për gjithë jetën.

Më 15 nëntor të vitit 1997, Sinan Morina, radhitet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Drenoc të Klinës në njësitin “192 MALA” me komandant Alush Agushin, në maj të 1998 kalon në Gllarevë të Klinës në njësitin “Graniti” të cilin e drejtonte luftëtari Agim Pantina. Me heroizmin e treguar në beteja të njohura, ai la gjurmë të paharruara në historinë e popullit shqiptar.

Mori pjesë nën komandën e Mujë Krasniqit në betejat qe u zhvilluan në Ujmir, Çabiq, Terdec, Abri, Vojnik, Dollc, Gllarevë, Rixhevë, Kijevë etj. Pas luftimeve të ashpra që zhvillohen në Dollc në fillim të korrikut, Sinani se bashku me ushtarë tjerë të brigadës ‘‘113’’ nën komandën e Mujë Krasniqit shkojnë për armatim në Shqipëri me 15 korrik 1998.

Më 29.09.1998, nën komandën e Mujë Krasniqit, nga zona e Drenicës  kaluan 36 luftëtarë, për përforcim në zonën e Dukagjinit. Në mesin e tyre ishte edhe Sinan Morina. Ai ishte i sistemuar në batalionin e parë të brigadës 132 “Myrt Zeneli”, ku u emërua komandant togu me nofkën “Daja”, u dallua për guximin e treguar në aksione e beteja si në Ratishë, Lumbardh, Jabllanicë, Maznik etj.

Më pas, së bashku me Alush Agushin, komandant ‘‘Malën’’, Rasim e Faruk Agushin, dhe një grup tjerë shokësh, Sinani shkon për armatim në Shqipëri, në dhjetor të vitit 1998.

Rënia heroike

Në mëngjesin e 28 maj-it, të vitit 1999 me urdhër të komandant ‘‘Malës’’, Sinanin e nisën për përforcime, për t’i shkuar në ndihmë Ramush Haradinajt, bashkë me Faruk Agushin e Hazir Morinën. Gjatë luftimeve të ashpra në Dashinoc, Sinan Morina bie heroikisht dëshmor duke hyrë në altarin e lirisë, për të mbetur krenari për familjen dhe mbarë Kosovën. Trupin e tij e barti deri në kazermë Faruk Agushi. U varros në Maznik në praninë e komandantëve Alush Agushi, Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve tjerë.

Në gusht të vitit 1999, Sinan Morina u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit.

Pas rënies historike

Sot reflekton përjetësisht në lapidar në vendin e rënies në Dashinoc të Deçanit, në fshatin e lindjes në Rixhevë dhe një rrugë në qytetin e Klinës e gëzon emrin e tij. Sinan Morina nderohet edhe me aktivitet sportiv me turnirin tradicional në futboll të vogël për nder të tij që mbahet në qytetineKlinës.
Për Sinan Morinën – Dajën, është ndarë dekorata me urdhrin “Hero i Kosovës”, nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës. Hashim Thaçi, duke e vlerësuar trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.