Ky website është ende në proces të punës!

Nasip Bytyqi

Nasip Bytyçi (06.06.1967-17.07.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shëbreu në Zonën Operative të Dukagjinit.

-Jeta dhe familja

Nasip Bytyçi u lind, në fshatin Potërç, komuna e Klinës. Rrjedh nga një familje bujare dhe liridashëse. Në vitin 1972 kjo familje erdhi nga fshati Orllat dhe u vendos në Potërç. Babë Reshyti dhe nënë Hajrija kishin pesë fëmijë: tre djem dhe dy vajza. Nasipi ishte fëmija i dytë me radhë.

Shkollën fillore e kreu në Drenoc të Klinës, ndërsa shkollën e mesme në Klinë. Në jetën civile u morë me bujqësi. Ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë. Vazhdimisht kishte probleme me forcat policore serbe, të cilat e pengonin në punët ditore me të cilat merrej Nasip Bytyçi, si bartje zhavori, nxjerrje me eskavator, shpërndarje etj. Si gjithnjë i pakënaqur me regjimin e egër serb, dëshmori merrte pjesë në çdo revoltë, protestë apo demonstratë që zhvillohej, sidomos në Klinë dhe Pejë.

Veprimtaria

Fillimi i luftës në Kosovë e sidomos në Dukagjin bënë që Nasip Bytyçi më 10 prill të vitit 1998 të inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Jabllanicë të Dushkajës, ku veproi në rajonin e Jabllanicës, Këpuzit, Çeskovës, Dollovës, Bokshiqit etj. Këtu vazhdoi deri në shtator të vitit 1998. Pastaj, Nasipi u detyrua të qëndrojë ilegal qoftë në shtëpi të vet, qoftë nëpër male. Kështu ndodhi deri më 22 mars të vitit 1999, kur u rirreshtua në Zonën Operative të Dukagjinit i sistemuar në Kompaninë e parë me veprim në fshatin Rosujë, me komandant Avni Shalën nga Jabllanica e Leshanit, në kuadër të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”. Këtu ishte luftëtar i dalluar dhe kreu detyra ushtarake me rëndësi.

Rënia heroike

Me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova kompania e Avni Shalës u sistemua në ish-stacionin policor të Kliçinës. Nasip Bytyçi kreu detyra si polic ushtarak. Në këtë kohë, familja famkeqe serbe Keziq ende nuk ishte larguar nga Poterçi i Poshtëm. Nga kjo familje ishin vrarë disa qytetarë nga Drenica. Dëshmori Nasip Bytyçi si polic ushtarak, hyri në male të kërkojë kriminelët dhe në përleshje e sipër me ta, vrau dy kriminelë serbë. Por, numri i tyre ishte i madh, dhe në ballafaqim, u vra nga afërsia më 17 korrik 1999, pikërisht në malet e Potërçit.

E varrosën në varrezat familjare në Potërç, ndërsa rivarrimi u bë më 24 gusht 1999 në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit, në Gllogjan.

Pas rënies heroike

Në shenjë nderi për sakrificën dhe rënien heroike, figura e dëshmorit Nasip Bytyqi, u përjetësua në lapidar mermeri në Potërç të Klinës.