Mustafë Abazi (09.02.1963-10.07.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit, i cili u kthye nga mërgimi në përgjigjie të kushtrimit të atdheut.
-Jeta dhe familja
Mustafë Abazi u lind,në fshatin Jabllanicë e Leshanit, komuna e Pejës. Rrjedh nga një familje patriotike, e cila nga viti 1912 ndodhej në konflikt me pushtetin serb. Të parët e tij luftuan me serbët.
Prindërit Rexhep dhe Ajmone Abazi kishin nëntë fëmijë: shtatë vajza e dy djem. Dëshmori Mustafë Abazi ishte fëmija i shtatë me radhë.
Shkollën fillore e kreu në Kliçinë. Pastaj vijoi gjimnazin në Pejë, ku e përjashtojnë si pjesëmarrës të demostratave më 1981. Regjistrohet në Klinë, por sërish e përjashtojnë. Me mund të madh e kryen shkollën e mesme, duke vijuar më pas studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, por nga kushtet e rënda ekonomuke, e ndërpret dhe inkuadrohet në Fabrikën e Birrës në Pejë.
Mustafë Abazi ishte i martuar dhe ka lënë pesë fëmijë: dy djem e tri vajza.
Veprimtaria
Në vitin 1990, Mustafë Abazi plagoset nga barbarët serbë. Pas largimit nga puna, ai shkon në Austri ku shërohet, punësohet dhe studion gjuhën gjermane. Sa herë që vinte në vendlindje, merrej nga policia, burgosej, lirohej.
Në Austri punoj deri në daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim të vitit 1998, për herë të parë, Mustafa i vizitoi njësitet e UÇK-së në Jabllanicë të Dushkajës, ndërsa me 20 prill 1998 inkuadrohet në radhët e saj, ku qëndroi deri në çlirimin e Kosovës.
Në fillim shkoi në Shqipëri për furnizim me armë. Mori pjesë në vijat e frontit që u zhvilluan kundër forcave serbe në Sukë të Cërmjanit, Rakovinë, Këpuz, Çeskovë, Lug të Baranit. Mustafë Abazi qëndroi në Jabllanicë në ofensivën e parë dhe të dytë, kur sulmet e forcave serbe, me armatim të rëndë, me artileri dhe raketa tokë-tokë vinin nga Kralani, Nepolja, Lugu i Baranit. ai qëndroi në Pikë të Shqiponjës deri në shtator 1998. Edhe pse UÇK-ja pësoi një goditje nga forcat serbe, Mustafa hyri në Shqiponjë dhe nuk u largua prej saj në asnjë moment.
Në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, Mustafë Abazi ishte zëvëndëskomandant i Kompanisë së Parë, në Batalionin e Parë. Ndërkohë, ZOD, Mustafën se bashku me Avni Shalën, i emëron koordinator të njësiteve të UÇK-së në Lugun e Leshanit.
Figura e tij respektohej nga bashkëluftëtarët dhe populli që ndodhej nëpër fshatra. Kontributi i tij gjatë luftës që u zhvillua në Kosovë, ishte i pakontestueshëm. Emri i tij radhitet ndër luftëtarët e vijës së parë kurdoherë që e kërkoi nevoja e atdheu.
Rënia heroike
Dëshmori Mustafë Abazi do të përjetësohet në ditët e para të lirisë. Gjatë një misioni të shenjtë për të shpëtuar jetën e njerëzve nga minat që forcat serbe i kishin lënë në terren, më 10 korrik të vitit 1999, në momentin kur po verifikonte informatën për një varrezë masive në fshatin Lybeniç, ai bie në një bombë kasetë, ku humbi jetën, por duke lënë pas vetës një karrierë të bujshme prej luftëtari.
Varrimi i dëshmorit Mustafë Abazi u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Pas rënies heroike
Në shenjë nderimi, për dëshmorin Mustafë Abazi është ngritur lapidar në vendin ku përfundoi misionin e tij. Gjithashtu, edhe një rrugë në komunën e Pejës sot mban emrin e tij.
Dëshmori Mustafë Abazi nderohet edhe me aktivitet sportiv me Turnirin Tradicional Memorial i cili mban emrin e tij, në Jabllanicë, Pejë.
Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e dekoroi dëshmorin e kombit, Mustafë Abazi, me Urdhrin “Hero i Kosovës” për trimëri dhe sakrificë për lirinë e vendit. Dekorata iu është dhënë familjarëve të heroit.