Ky website është ende në proces të punës!

Himë Haradinaj

Himë  Haradinaj (10.08.1981 – 24.03.1998) ishte njëri ndër ushtarët më të rinj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i inspiruar nga fryma patriotike në të cilën ishte rritur nga familja.

  • Jeta dhe familja

Himë Rasim Haradinaj u lind me 10 gusht të vitit 1981, në Gllogjan të Deçanit.

Hima ishte biri i Rasimit dhe nënës Safete. Ata kishin pesë djem dhe dy vajza, të gjithë të rritur në frymën e atdhedashurisë për vendin e tyre.

Hima shkollën fillore e kreu në vendlindje, por për shkak të kushteve ekonomike iu pamundësua të vazhdonte shkollën e mesme.

Hima duke ndjekur edhe lëvizjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po organizoheshin atë kohe, nuk mendonte fare për shkollën e mesme, e sidomos pas vrasjes së dëshmorit Luan Haradinaj, më 6 maj të vitit 1997.

  • Veprimtaria

Himë Haradinaj kishte dëshirë të madhe që t’iu bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë e bëri pikërisht më 6 maj të vitit 1997, në formacionin e ushtarakut Daut Haradinaj, ende pa i mbushur mbushur 17 vite jetë.

Hima e dinte që kishte marrë barrë të madhe mbi vete, e dinte për sfidat e mëdha që po e prisnin, por as edhe njëherë të vetme nuk kishte ndaluar duke kontribuuar në çlirimin e atdheut.

Në fillim iu caktua detyra si vrojtues, ku bënte një punë mjaft të mirë, duke vrojtuar lëvizjet e forcave paramilitare serbe në drejtim të fshatit Irzniq – Gllogjan – Dubravë – Gramagel.

Forcat serbe kishin planifikuar që ta rrethonin Gllogjanin me rrethinë dhe planifikonin që t’i shfarosnin të gjithë ata që kundërshtonin pushtimin e atëhershëm. Edhe pse forcat serbe ishin të armatosura me artileri të rëndë, nuk bëri punë për ta ndalur idealin e ushtarëve të asaj ane.

Ndër të rriturit që i dolën zot familjes Haradinaj ishte edhe Himë Haradinaj, i cili ishte i gatshëm për sulm dhe mbrojtje të familjes Haradinaj, së bashku me Ramushin, Dautin, Shkëlzenin, Hilmiun, Rasimin e Bujarin, dhe kështu, arritën që t’i zbrapsnin forcat serbe dhe nuk lejuan që ta bënin atë që kishin bërë tek familja Jashari në Prekaz.

Më 24 mars, Himë Haradinaj kishte arritur ta evakuonte familjen e tij dhe ishte kthyer prapë në Gllogjan.

Hima së bashku me Gazmendin dhe Agronin mundoheshin në çdo mënyrë që të hynin në luftime nga qendra e Gllogjanit, mirëpo pastaj ndryshojnë rrugën e tyre, pasi që ushtria serbe kishte depërtuar deri tek shkolla dhe po merrnin si pengje fëmijët e kësaj shkolle. Pastaj, vendosën që ta vazhdonin rrugën e tyre drejt shkollës fillore “Hasan Prishtina”, mirëpo nxënësit vetëm se ishin në shkollë apo në Lugun e Baricës, siç njihej ndryshe.

Të tre kishin arritur shumë afër shkollës, mirëpo ishin vërejtur nga snajperistët serbë, të cilët i sulmuan menjëherë me snaiper, duke i lënë të vrarë në vend Agroni dhe Gazmendi. Ata u bën dëshmorët e parë të betejës së Gllogjanit, të datës 24 mars të vitit 1998.

  • Rënia heroike

Breshëria e plumbave që ishte zbrazur në tre luftëtarët e rinj, e kishte kapur edhe Himë Haradinajn, i cili kishte mbetur i plagosur rëndë, por nuk kishte dorëzuar dhe kishte tentuar që të tërhiqej dhe të arrinte deri në fshatin Shqiponjë (ish-Jabllanicë). Por, në pamundësi për të lëvizur më tutje nga plaga që kishte marrë, ai ishte ndalur tek vendi i ashtuquajtur Suka e Biteshit, ku edhe kishte dhënë frymën e fundit.

Trupi i dëshmorit ishte gjendur tre ditë pas vdekjes së tij, me gjithë armatimin që kishte me vete. Trupin e dëshmorit Himë Haradinaj e kishin sjell në Gllogjan më 28 mars të vitit 1998, duke i dhënë lamtumirën e fundit bashkëluftëtarët e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit.

  • Pas rënies heroike

Për të nderuar kontributin e dhënë për çlirimin e vendit, familja e dëshmorit Himë Haradinaj është nderuar me mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe shoqatat e dala nga lufta.