Ky website është ende në proces të punës!

Sadri Shala

Sadri Shala (13.03.1972-15.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit.

Jeta dhe familja

Sadri Shala lindi më 13 mars 1972 në fshatin Cërmjan, Komuna e Gjakovës. Për shkak të mosmarrëveshjeve me serbët e fshatit që ka pasur familja Shala, u keqtrajtua vazhdimisht nga regjimi serb në Kosovë.

Rrustem e Zejnije Shala kishin shtatë fëmijë: pesë vajza dhe dy djem.

Shkollën fillore dhe atë të mesme, Sadri Shala i kreu në vendlindje, në Cërmjan.

Veprimtaria

Peshën e regjimit serb e provoi mbi supe edhe dëshmori Sadri Shala. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha protestat dhe revoltat popullore në Cërmjan, në Gjakovë e në Prishtinë ku protestohej kundër një regjimi të egër. Sadri Shala u detyrua ta kryej shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave, ku me dhunë iu desh të luftojë kundër forcave kroate.

Fillimet e luftës në Kosovë dëshmorin Sadri Shala e gjetën në gjendje gatishmërie. Më 21 prill 1998 u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sistemuar si ushtar në Shtabin lokal të Cërmjanit. Për Sadriun, kjo ishte një ëndërr dhe një lumturi. Ai tani bashkë me UÇK-në, do të luftonte kundër ushtrisë së urryer serbe, e cila i kishte lyer duart me gjak në luftimet e Kroacisë dhe të Bosnjës.

Deri më 3 gusht 1998, Sadriu ishte në Shtabin lokal të Cërmjanit, ku kreu detyra të ndryshme në të gjitha vijat e frontit të Cërmjanit. Pas transformimit të Shtabit në Cërmjan, Sadri Shala kaloi në Jabllanicë, ku i kishte dajtë. Armën nuk e kishte dorëzuar, ku pas disa muajsh u riaktivizua pikërisht në Shtabin e Jabllanicës, i sistemuar në kompaninë e Kralanit. I priste një vijë e frontit e gjatë, e numri i ushtarëve të UÇK-së ishte i vogël.

Dëshmori Sadri Shala u dallua në luftime. Ai mori pjesë aktive në vijat e frontit të kësaj kompanie deri më 15 maj 1999.

Rënia heroike

Më 13 maj në një ofensivë të ashpër me forcat serbe, Sadri Shala u plagos nga minahedhësi, ku mori plagë të rënda në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. E tërhoqën dhe e dërguan në spitalin ushtarak në Maznik. Pas shumë përpjekjeve të mjekut Ali Berisha, dëshmori Sadri Shala vdiq më 15 maj 1999. U varros me nderime në malet e Maznikut, ndërsa rivarrimi u bë më 24 gusht 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit.

Pas rënies heroike

Familja e dëshmorit Sadri Shala ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.