Ky website është ende në proces të punës!

Islam Berisha

Islam Berisha (16.06.1978-25.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, i cili ra heroikisht në altarin e lirisë.

Jeta dhe familja

Islam Berisha u lind në fshatin Qallapek, Komuna e Pejës. I ati, Salihu, arsimtar, është keqtrajtuar dhe burgosur tri herë. Të gjithë djemtë e kësaj shtëpi, ishin keqtrajtuar nga policia serbe.

Prindërit Sali e Sanije Berisha kishin katër fëmijë: katër djem.

Shkollën fillore, Islam Berisha e kreu në Baran, gjimnazin dhe Shkollën e Lartë Ekonomike e regjistroi në Pejë.

Veprimtaria

Islam Berisha ishte anëtar aktiv i Lëvizjes studentore dhe organizator i demonstratave në Pejë. Luftimet në Drenicë e më 24 mars 1998 në Gllogjan, atë e gjetën të përgatitur për luftë kundër regjimit serb. Kështu, Islami i ndërpreu studimet dhe ëndrra e tij që të bëhej ushtar i UÇK-së, u realizua mu në ditëlindjen e 20-të të tij, saktësisht më 16 qershor të vitit 1998, ku për herë të parë veshi uniformën e shenjtë të UÇK-së. Më 24 qershor të po atij viti, Islami kalon prej Ratishi në fshatrat e Lugut të Baranit, si ushtar, ku edhe mori pjesë aktivë në mbrojtjen e fshatit të lindjes, në Qallapek. Në shtator të vitit 1998, kur një pjesë e ushtrisë u tërhoq në Bjeshkët e Nemuna, ku nëpërmjet të fshatrave të Rugovës kaluan në Shqipëri, dëshmori Islam Berisha nuk e pranoi kurrë tërheqjen. Tani vepron në fshatrat e Dushkajës, në Jabllanicë, Zhabël, Bardhaniq, Deshinoc, Ratish, ndërsa në nëntor kthehet në Kotradiq. Në fshatin Lumbardh ku u zhvillua një luftë heroike, Islami ishte në vijën e parë të frontit.

Më 3 e 4 prill, kur armiku serb sulmon Kotradiqin, Islami me bashkëluftetarë ishte aty, duke i shkaktuar armikut dëme në njerëz dhe në teknikë. Pas kësaj beteje, Islam Berisha tërhiqet në Maznik. Më 14 prill me tre shokë sulmon një postbllok në fshatin Papiq. Më pas, atë e gjejmë në në  Buqan, në  Baran, në Vranoc, në Kamenicë etj.

Rënia heroike

Më 25 maj 1999 forca të mëdha të armikut sulmojnë pozicionet e Brigadës “Agim Zeneli” në Kodrën e Kamenicës. Islam Berisha luftoi gjashtë orë të plota me mitralozin e tij duke i shkaktuar dëme armikut serb. Një granatë bie në pozicionet ku luftonte Islami, ku ai merrë plagë të rënda, ndërsa bashkëluftetarët e tij, Muharrem dhe Adrian Kelmendi, bien heroikisht në altarinë e lirisë.

Dëshmori Islam Berisha në rrugë për në spitalin e Maznikut vdes, por pas tij la përjetësinë e tij, për t’u mos u harruar kurrë nga populli.

Islami varroset në Maznik, ndërsa rivarrimi I tij u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan më 24.8.1999.

Pas rënies heroike

Familja e dëshmorit Islam Berisha ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.