Ky website është ende në proces të punës!

Shefqet Mustafaj

Shefqet Mustafaj (02.04.1969-19.04.1999), i njohur me nofkën “Dukagjini”, ishte epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra për të mos vdekur kurrë duke luftuar kundër armikut barbar serb, me një qëllim të vetëm, çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

Jeta dhe familja

Shefqet Mustafaj u lind në fshatin Gllogjan, komuna e Deçanit, në një familje me tradita kombëtare dhe patriotike. Gjithmonë në konflikt me regjimin serb. Ishte djali i Fazli dhe Nepw Mustafaj tw cilwt kishin dhe tre djem tjerw dhe njw vajzw. Në vitin 1981, vëllanë e madh, Sokolin, regjimi serb e dënoi me pesë vjet burg, si pjesëtar të grupit ilegal “Shqiponja”, kurse motrën e vetme, Ganimeten, me 15 ditë burg. Ndërsa dëshmorin, Shefqetin, në atë kohë, 12-vjeçar, e përjashtuan për një vit nga shkolla, sepse kishte shpërndarë pamflete.

Pas një viti, Shefqet Mustafaj, shkollën fillore e kreu në Irzniq, ndërsa atë të mesmen në Deçan.

Si pjesëtar i një familjeje “të etiketuar” nga regjimi serb, Shefqet Mustafaj emigroi në Zvicër, e më vonë në Gjermani.

Veprimtaria

Kosova notonte në ujëra të turbullta. UÇK-ja filloi aksionet e para. Rezistenca heroike e Jasharajve në Prekaz dhe qëndresa e pamposhtur e Haradinjave më 24 mars në Gllogjan, bënë që më 26 mars 1998, Shefqet Mustafaj vendosi që definitivisht t’iu bashkohej radhëve të UÇK-së. Me të arritur në Gllogjan, në radhët e UÇK-së gjeti babanë 65-vjeçar dhe të tre vëllezërit: Sokolin, Shkëlzenin dhe Kushtrimin. Më 1 prill 1998 edhe Shefqet Mustafaj hyri në radhët e UÇK-së në Gllogjan. Gjatë luftimeve në Dukagjin u gjend në vijën e parë të frontit në: Baballoq, Gramaçel, Prejlep, Carrabreg, Rastovicë, Raushiq, Loxhë ku u shqua për guxim dhe trimëri.

Në sulmin që ndërmori ushtria serbe në Rastavicë më 24 maj 1998, në mesin e shumë luftëtarëve që e mbrojtën, ishte edhe Shefqet Mustafaj. Luftimet zgjatën disa ditë. Më 26 maj në Rastavicë plagosen luftëtarët Agron Mustafaj dhe Shefqet Mustafaj, ndërsa bie në fushë të nderit dëshmori Arben Qerimaj. Pas shërimit të pjesërishëm, Shefqet Mustafaj merr pjesë në betejën e Raushiqit, e më vonë edhe në atë të Loxhës. Kudo e shoqëron i vëllai Shkëlzeni.

Shkoi për shërim në Shqipëri, në Tiranë. Ende pa u shëruar si duhet, kthehet në Tropojë dhe bashkë me disa grupe që po hynin në Kosovë niset të vijë në Gllogjan. Së bashku me Sali Lajçin, e shumë luftëtarë të tjerë, nisën për në Rugovë, por bijnë në terren të minuar në trekëndëshin kufitar, në Bjeshkë të Bogiqes. Falë guximit dhe gjeturisë së Shefqet Mustafajt,e tërheqin armatimin dhe të plagosurit dhe kthehen përsëri në Tropojë. Sa qëndroi në Shqipëri, ishte shumë aktiv në bartjen dhe furnizimin me armatim. Meqë i kishin mbetur edhe disa cifla të predhave në trup, u nis për t’u kuruar në Gjermani. Pas shërimit, në fund të marsit 1999 kthehet në Shqipëri dhe iu bashkëngjitet shokëve në Padesh.

Rënia heroike

Me fillimin e luftës në Koshare, Shefqeti ishte në vijën e parë të frontit. Për këtë arsye e emërojnë komandant kompanie në Brigadën 138 “Agim Ramadani”. Më 17 prill ndërmerr një aksion të suksesshëm në prapavijë të armikut dhe pas aksionit kthehet me 18 kalashnikovë të përgjakur që ia kishte marrë armikut. Dy ditë më vonë, më 19 prill 1999, ndërmerr edhe një aksion kundër armikut. Por, hetohet nga serbët, e rrethojnë dhe tentojnë ta zënë të gjallë. Por Shefqet Mustafaj nuk jepej. Pas një lufte të pabarabartë, bie heroikisht në vendin e quajtur Rrasa e Koshares, për të mos vdekur kurrë luftëtari i orëve të para të lirisë, trimi Shefqet Mustafaj, i njohur me nofkën “Dukagjini”. Varrimi i tij u bë në Bajram Curr, ndërsa rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan, më 24.08.1999.

Pas rënies heroike

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e dekoroi dëshmorin e kombit, Shefqet Mustafaj, me Urdhrin “Hero i Kosovës” për trimëri dhe sakrificë për lirinë e vendit. Dekorata iu është dhënë familjarëve të heroit.