Enver Halilaj (24.11.1962-11.08.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit. Heroizmi i tij, ia solli atij përjetësinë e vetës dhe çlirimin e vendit nga okupimi serb.
Jeta dhe familja
Enver Halilaj u lind në fshatin Gllogjan, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Prindërit Hasan e Ruke Halilaj kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Edhe Enveri ishte i martuar dhe la shtatë fëmijë: tre djem e katër vajza.
Shkollën fillore e kreu në Irzniq, atë të mesme në Deçan, ndërsa Shkollën e Lartë të Policisë në Vushtrri, drejtimi për Polic Komunikacioni.
Pesë vjet punoi në Prishtinë, tri vjet në Pejë, ndërsa më 1990, regjimi serb e largoi nga puna. Pas largimit, Enveri punoi si taksist në Deçan.
Veprimtaria
Në vitin 1990 forca të mëdha policore bastisën shtëpinë e tij në Gllogjan, ku morën pjesë 63 policë me pretekst për ta arrestuar Enverin. Më 7 korrik 1998, kur po bëheshin gati që në mbrëmje ta ngrenin flamurin kombëtar në fshat, Gllogjani granatohet me artileri. Enveri plagoset në dorë, por menjëherë e mori veten dhe iu bashkua shokëve duke marrë armën, me një fjalë, ai u gjet në vijën e parë të frontit. Ishte i sistemuar në Shtabin e Gllogjanit me detyrën e komandantit të togut. Si ish- polic, Enver Halilaj u morë edhe me trajnimin e ushtarëve të rinj. Mori pjesë në disa fronte.
Rënia heroike
Që nga data 20 prill 1998 kur u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e deri më 11 gusht 1998, kur në ofensivën e Gllogjanit u vra mu te Shkolla Fillore “Hasan Prishtina” nga një predhë minahedhësi, mu të shkolla ku kishte marrë mësimet e para, dëshmorin Enver Halilajn e shohin të luftojë përkrah shokëve dhe komandatëve në betejat e Gllogjanit, Baballoqit, Prilepit, Shaptejt, e fshatra të tjera. Ra në krye të detyrës, ashtu siç bijnë trimat, bashkë me djalin e xhaxhait, Orhan Halilajn, duke ia shtuar lavdinë luftës dhe fitores që sapo dukej në horizontin e Kosovës. Sot trupi i tij pushon në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Pas rënies heroike
Për nder të sakrificës së tij dhe rënies së tij heroike, figura e dëshmorit Enver Halilaj është nderuar me dekorata e mirënjohje nga Shoqatat e dala nga lufta e institucione e larta shtetërore. Po ashtu, janë thurur këngë e poezi.