Ky website është ende në proces të punës!

Orhan Halilaj

Orhan Halilaj (13.03.1979-11.08.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, heroizmi i të cilit ia shtoi madhështinë luftës, vendlindjes dhe gjithe popullit.

Jeta dhe familja

Orhan Halilaj u lind në fshatin Gllogjan, komuna e Deçanit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Irzniq. Prindërit Lan e Sharke Halilaj kishin shtatë fëmijë: pesë vajza e dy djem.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe atë të mesme e filloi në Irzniq, komuna e Deçanit, por në vitin e katërt e ndërpreu për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së.

Veprimtaria

Më 23 prill Orhan Halilaj u gjend në radhët e UÇK-së në mbrojtje të fshatit. Kohë pas kohe dëshmori shkoi për furnizim me armë, ku ia mësyu Shqipërisë, rrugë kjo të cilën e kaloi disa herë së bashku me shokët nga Gllogjani: Luan Nimanaj, Sadik Halilaj, Agim Selmanaj, Miftar Halilaj etj. Pas këtyre udhëtimeve, Orhan Halilaj mori pjesë në luftën që u zhvillua në Baballoq, kundër forcave ushtarake serbe ku u gjend në vijën e parë të fronit, e njëherësh edhe u plagos në kraharor, në të djathtë. U dërgua në Shqipëri për shërim, ku pas shërimit u kthye përsëri ndër radhët e luftëtarëve të UÇK-së. Në Gllogjan, ai dha kontributin e vet të pamohueshëm.

Rënia heroike

Më 11 gusht 1998, Gllogjani ndodhej i rrethuar nga forcat serbe, të cilat posedonin artileri të rëndë dhe tanke. Orhani, ashtu si edhe djali i xhaxhait të tij, Enveri, ndodheshin ballë për ballë armikut, mu te shkolla fillore “Hasan Prishtina”, aty ku Orhani i  kishte marrë mësimet e para. Është kjo dita kur edhe vriten të dy dëshmorët, mu te pragu i diturisë, në mbrojtje të vendlindjes dhe të atdheut nga një predhë tanksi e armikut. Pas dy ditësh, Orhan Halilaj varroset në varrezat e vjetra, por më vonë radhitet në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.

Duhet përmendur këtu edhe disa të dhëna të kësaj familjeje. Babai i Orhanit, Lan Halilaj, që në ditën e parë të sulmit në Gllogjan, u zu rob bashkë me 12 bashkëfshatarë, i keqtrajtuan, i dërguan në Burgun e Gjakovës dhe pas tre ditësh i liruan. Edhe nëna e dëshmorit Orhan Halilaj, Sharke Halilaj po këtë ditë rrahet nga forcat serbe deri në alivanosje.

Pas rënies heroike

Dëshmori Orhan Halilaj ra heroikisht duke e ngritur veten në lapidar lavdie, që të mbes përjetësisht në kujtimet e popullit tonë.

Për nder të sakrificës së tij dhe rënies së tij heroike, figura e dëshmorit Enver Halilaj është nderuar me dekorata e mirënjohje nga Shoqatat e dala nga lufta e institucione e larta shtetërore.