Lavdim Likaj (11.03.1978- 01.06.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, të cilit armiku ia zhduku trupin, por trimëria e lavdia që la pas, mbesin përgjithmonë në kujtimin e popullit shqiptar.
Jeta dhe familja
Lavdim Likaj u lind në fshatin Carrabreg, komuna e Deçanit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Deçan. Familja Likaj është e njohur në Rekë, si familje patriotike, e dëshmuar. Edhe në luftën e fundit, djemtë e Rrexhep Likajt, u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armë në dorë, në luftë kundër pushtetit serbokomunist. Vëllezërit e Lavdim Likajt, Enver dhe Sami Likaj që ndodheshin të punësuar në Gjermani kanë ndihmuar luftën çlirimtare të Kosovës materialisht. Sa herë janë kërkuar mjete për furnizim me armë, ata ftesës i janë përgjigjur me devotshmëri. Edhe vëllai tjetër i Lavdimit, Rexhep Likaj, ishte pjesëmarrës aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me armë në dorë.
Shkollën fillore, Lavdimi e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e kreu në Deçan.
Veprimtaria
Dëshmori Lavdim Likaj ishte ndër të parët në komunën e Deçanit që u rreshtuan në radhët e UÇK-së. Me 20 prill 1998 hyri në Shtabin e Carrabregut, si ushtar. Luftoi nëpër fshatrat e komunës së Deçanit, aty ku e kërkonte nevoja. Gjatë luftës Lavdimi dy herë shkoi në Shqipëri për armatim, bashkë me fshatarët e Carrabregut. Ka marrë pjesë në luftërat që u zhvilluan në mes të pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe në Carrabreg, Prejlep, Deçan.
Rënia heroike
Lavdim Likaj ra heroikisht më 1 qershor 1998, pikërisht në fshatin e lindjes, në Carrabreg, përballë shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” bashkë me dëshmorin Blerim Dërvishaj nga Irzniqi, në mbrojtjen e pozicioneve luftarake kundër armikut, me rastin e një ofensive të ashpër njëjavore, ku forcat serbe synonin depërtimin në drejtim të Gllogjanit me rrethinë. Kjo ishte dita e lavdisë së tij, e heroizmit të tij, e pavdekësisë së tij.
Trupi i tij ende nuk është gjetur, por me dëshirën e familjes dhe pajtimin e eprorëve, varri i tij është i hapur në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.
Pas rënies heroike
Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, figura e Lavdim Likajt ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.
Në vendin ku ra heroikisht, në vijën e parë të frontit, është vendosur pllakë përkujtimore, bashkë me heroin Blerim Dervishaj.