Ky website është ende në proces të punës!

Nuredin Gërvalla

Nuredin Gërvalla (13.07.1977-25.05.1999), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit, historia e të cilit tregon më së miri se sa e gjatë  dhe sa e shtrenjtë ishte rruga deri tek liria.

Jeta dhe familja

Nuredin Gërvalla u lind në fshatin Kryshec, komuna e Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Deçan. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Stërgjyshi i tij, Selim Demush Gërvalla, në vitin 1912 në Pejë e theu flamurin serbosllav të Malit të Zi, kur krimineli Savë Batarja kërkonte që shqiptarëve t’ua ndërronte fenë me dhunë. Ndërsa gjyshi i tij në vitin 1937, Demush Selim Gërvalla, duke parë padrejtësitë që u bënë në votimet e njohura të Lugut të Baranit, hyn në komunë, shkyen fletëvotimet, me ç’rast zhvillohet një luftë ku vriten dhjetëra njerëz. Edhe në Luftën e Drenicës, Demush Selim Gërvalla lufton krah për krah me Mehmet Gradicën kundër forcave partizano-çetnike. Pra, një shekull kjo familje ishte në luftë të përhershme me serbët.

Në vitin 1981 policia serbe arreston vëllanë e Nuredinit, Islamin, më vonë edhe vëllanë tjetër, Agronin, e më pas i arrestojnë edhe kusherinjtë Gërvalla. Preteksti ishte se gjoja kishin djegur shtëpinë e një serbi në fshat. Nuredini, si nxënës i shkollës së mesme, merr pjesë në demonstrata, në Lug të Baranit, në Deçan etj. Në vitin 1991 e burgosin në Pejë. Pra, ishin gjithnjë të kërkuar nga policia. Nuredini largohet nga vendlindja dhe shkon në Shqipëri, e më vonë e gjejmë tek i vëllai në Zvicër. Në Zvicër e Gjermani kreu detyra me rëndësi, sidomos në Fondin “Vendlindja thërret”.

Veprimtaria

Me daljen në skenë të UÇK-së, Nuredini më 7 prill 1998 vesh uniformën dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm nëpërmjet Shqipërisë kalon në Zonën Operative të Drenicës. Mori pjesë në Betejën e Llapushnikut, krah për krah më Fehmi Lladrovcin, Abedin Rexhën etj. Po ashtu, merr pjesë në Betejën e Likocit, në Drenoc, në Zatriq dhe pothuajse në çdo betejë që u zhvillua në Drenicë. Ndërkohë, kthehet në ZOD, ku nën komandën e Ramush Haradinajt luftoi në Jabllanicë, në Loxhë, në Rahovec, në vendlindje. Më 9 shtator 1998 Nuredin Gërvalla niset për në Rugovë të Pejës, si udhëheqës i grupit bashkë me luftëtarët dhe me të vëllanë, Agronin, Sami Krasniqin, Shaban Lajçin, Bekim Lajçin, Bardhec Lajçin, Isuf Bardhajn për në Rugovë. Përsëri e gjejmë në luftërat që u zhvilluan në Dushkajë.

 Rënia heroike

Në shkurt të vitit 1999, Nuredini kalon në Ratishë, në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Bashkë me luftëtarin Avdyl Mushkolaj, Nuredin Gërvalla bëri bartjen e të plagosurve nga Zona Operative e Dukagjinit deri në Rugovë. Ndërkohë, niset për në Shqipëri me shumë shokë të plagosur. Disa ditë udhëtoi Bjeshkëve të Deçanit, dhe kur arrin në Bjeshkën e Belegut, në të ashtuquajturën Zonë kufitare Bugiqe, më 24 maj 1999 bie në pritë të forcave serbe, ku pas një rezistence disaorëshe, në tërheqje e sipër, bie heroikisht në fushën e lavdisë, me ç’rast plagosen edhe disa shokë lufte e ndër ta edhe komandanti Avdyl Mushkolaj.

Pas rënies heroike

Pas luftës, eshtrat e trupit të dëshmorit Nuredin Gërvalla janë gjetur në Batajnicë të Serbisë dhe pas tërheqjes nga atje është varrosur në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan. Në vendin e rënies së tij heroike, në Bogiqe, është vënë pllaka e përbashkët përkujtimore, ndërsa në Gllogjan është ngritur lapidari i lavdisë. Për nder të sakrificës së tij, figura e heroit Nuredin Gërvalla është vlerësuar me mirënjohje nga njësia speciale e ZOD-it, nga Shoqatat e dala nga lufta, Ministria e Mbrojtjes, si dhe nga institucionet e larta shtetërore.