Ky website është ende në proces të punës!

Xhavit Islami

Xhavit Islami (05.06.1964-24.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit, i cili denjësisht e kreu detyrën ndaj adheut dhe popullit, duke derdhur gjakun e dhënë jetën për liri.

Jeta dhe familja

Xhavit Islami u lind në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje atdhedashëse dhe përparimtare. Nga regjimi komunist, dëshmori ka një axhë të zhdukur. Babë Ramadani dhe nënë Ziza kishin tetë fëmijë: pesë vajza dhe tre djem. Të gjithë fëmijët babë Ramadani arriti t’i shkollojë. Madje, vajza e tij është e para në Kralan që kreu shkollë të mesme. Dëshmori Xhavit Islami, shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjakovë, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin e Metalurgjisë në Mitrovicë, të cilat nuk arriti t’i kryej. U detyrua të punësohet në Fabrikën e Elektromotorëve në Gjakovë, ku punoi tetë vjet pandërprerë. Ishte i martuar dhe pas vetes ka lënë dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë.

 Veprimtaria

Xhavit Islami ka marrë pjesë aktive në të gjitha demonstratat, protestat dhe revoltat që janë mbajtur në Gjakovë. Në vitin 1989 në protestat e organizuara në Gjakovë, të cilat ishin masive, e ku u vranë edhe Fatmir Kërleshi dhe Xhevat Hoxha, dëshmori Xhavit Islami u plagos rëndë në kokë. Mu për këtë u detyrua të fshihet, ngase e kërkonin policia serbe. Po ashtu, Xhavit Islami ishte sportist i dalluar. Luajti futboll në klube të ndryshme në Gjakovë dhe Deçan. Karrierën e përfundoi si refer i Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas masave të dhunshme dhe largimit nga vendi i punës, u angazhua si ndërtimtar për të siguruar ekzistencën e familjes. Dhe, me fillimin e luftës në Kosovë, dëshira e tij e zjarrtë ishte që të inkuadrohet edhe ky në radhët e UÇK-së. Kjo edhe u realizua më 27 mars të vitit 1999, kur edhe inkuadrohet në radhët e saj si ushtar fronti. Përkushtimin e tij prej luftëtari e çmonin shokët dhe eprorët. Mori pjesë në luftime të ndryshme, i sistemuar në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”.

Rënia heroike

Xhavit Islami asnjëherë nuk iu shmang detyrave që ia parashtronin eprorët. Dhe, për dëshmorin, vjen dita e lavdisë, dita e rënies në fushë të nderit. Në rrugë për në Shqipëri, duke përcjellë të plagosurit që ndodheshin në spitalin ushtarak të Maznikut, bie në një pritë të forcave serbe në Bjeshkë të Belegut, në Bogiqe, ku pas një lufte, më 24 maj 1999, vritet Xhavit Islami bashkë me Islam Krasniqin dhe dëshmorë të tjerë. Meqë në momentin e rënies nuk pati mundësi të tërhiqej trupi i tij, forcat serbe e zhdukën jo vetëm këtë, por të gjithë të rënët me këtë rast, në këtë ballafaqim mes tyre.  Pas disa vitesh, u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello, nën poligonin e qendrës stërvitore të Njësive Speciale të Armatës Jugosllave, në rrethinën e Klladovës.

Pas identifikimit në morgun e Rahovecit, Xhavit Islami dhe tetë bashkëluftëtarë të tij u varrosën me nderime të larta ushtarake e gjithëpopullore në atdheun e tyre.

Dëshmori i Xhavit Islami, pushon në varrezat e dëshmorëve të kombit në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.


Pas rënies heroike

Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, familja e dëshmorit Xhavit Islamit ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.

Në shenjë kujtimi për rënien e heroit,  në Bjeshkë të Belegut është ngritur përmendorja e përbashkët për Xhavit Islamin dhe 14 dëshmorët e tjerë.

Dëshmori i kombit Xhavit Islami është përjetësuar edhe në lapidarin e përbashkët së bashku me shtatë dëshmorë të kombit në Lagjen Dardania të Gjakovës.