Ky website është ende në proces të punës!

Islam Krasniqi

Islam Krasniqi (06.04.1957-24.05.1999), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit.

Jeta dhe familja

Islam Krasniqi u lind në fshatin Retkoc, komuna e Rahovecit. Familja e dëshmorit shpërngulet nga fshati më 1987 dhe vjen për të jetuar në Gjakovë. Babë Rexhepi dhe nënë Nailja kishin pesë fëmijë: tre djem dhe dy vajza. Dëshmori ishte fëmija i parë në familje.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, atë të mesme në Rahovec, ndërsa studimet e larta, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe, në Universitetin e Prishtinës, ku i mbetën vetëm dy provime pa u kryer.

Islam Krasniqi ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes pesë fëmijë: tri vajza dhe dy djem.

Veprimtaria

Qysh në moshë të re, Islam Krasniqi ishte mjaft aktiv në protestat që zhvilloheshin kundër regjimit serb. Si gjimnazist, policia serbe e burgos, ku edhe vuan dënimin me një vit burg. Në vitin 1981 në demonstratat që u zhvilluan në Prishtinë, si student, jo vetëm që ishte njëri ndër organizatorët, por edhe u plagos nga policia serbe. Andaj, si i përndjekur, u detyrua të ikë në Gjermani. Pas kthimit nga Gjermania, ishte aktiv në Shoqatat Bamirëse “Nëna Terezë” e disa të tjera. Duhet përmendur këtu një të dhënë që flet shumë për orientimin e dëshmorit Islam Krasniqi rreth përkushtimit të tij në çështjen kombëtare. Ky, qysh në vitin 1978, bashkë me disa shokë, grisin flamurin jugosllav dhe atë serb mbi ndërtesën e Kuvendit Komunal në Prizren dhe në Rahovec dhe njëherësh shpërndajnë parullat me tekstin “Duam Republikë”. Por, dalja e UÇK-së në skenë, sa e gëzoi dëshmorin Islam Krasniqi, aq edhe e “dëshpëroi”, ngase për shkaqe shëndetësore nuk mundi të renditej në radhët e saj që në fillim. Mbante lidhje të ngushta me familjen Leka të Gjakovës, një familje kjo e shquar rreth çështjes kombëtare.

Rënia heroike

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, qëndrimi i tij u pamundësua në Gjakovë. Kështu që bashkë me të birin Arbrin, dhe me të vëllanë Rrustemin, më 29 mars të vitit 1999, iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së, si kuzhinier. Shërbeu në Kazermën ushtarake në Maznikë, komuna e Deçanit. Këtu qëndroi deri në maj të vitit 1999 kur në rrugë për në Shqipëri duke bartur të plagosurit, e njëherësh për t’u furnizuar me armë, bijnë në një pritë të forcave serbe në kufi, në Bogiqe, më 24 maj 1999, ku edhe vritet nga dora kriminale serbe. Në pamundësi për t’u tërhequr, për disa vite, u konsiderua si i zhdukur.

Pas rënies heroike

Pas testeve të AND-së, më 21 shkurt të vitit 2006, trupi i dëshmorit Islam Krasniqi ishte gjetur në varrezat masive të Batajnicës në Serbi.

Portreti i heroit Islam Krasniqi është ngritur lapidar buzë magjistrales Gjakovë-Pejë. Po ashtu, emrin e tij e ruan një rrugë në Rahovec dhe në Gjakovë.

Shkrime për heroizmin e tij janë janë thurur nga autori Hasan Hasani, që të mbesin kujtim i përjetshëm në historiografinë e popullit tonë.