Xhavit Fetahaj (23.03.1958-27.04.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit.
Jeta dhe familja
Xhavit Fetahaj u lind në fshatin Skivjan, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje e mesme fshatare. Babai Salihu, u keqtrajtua nga policia serbe vazhdimisht, duke filluar nga vitet pesëdhjetë e deri më 1993, kur edhe vdes në postbllokun e policisë në Piskotë. Salih dhe Gjyle Fetahaj kishin tetë fëmijë: shtatë djem dhe një vajzë.
Dëshmori Xhavit Fetahaj ishte i martuar dhe la pas vetes tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Gjakovë. Studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës u detyrua t’i ndërprejë për shkaqe ekonomike. Më vonë kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë.
Veprimtaria
Në vitin 1982, Xhavit Fetahaj punoi në një qoshk të “Rilindjes” në Skivjan, kur edhe e burgosin. Më vonë, Xhavitin dhe të vëllanë, Ismetin, i keqtrajtojnë gjoja se kishin shkruar parullën “Kosova Republikë”. Ismeti ndërkohë iku në SHBA, ndërsa Xhavitin e burgosin përsëri. Bastisjet, keqtrajtimet vazhduan deri në prag të luftës në Kosovë. Gjatë viteve 1991-1998 punoi si arsimtar në shkollën fillore në fshatin Dujakë. Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmori Xhavit Fetahaj kontakton me luftëtarët e UÇK-së në Gllogjan të Deçanit, ku edhe sistemohet në radhët e saj. Në fillim u morë me furnizim armësh, sidomos në fshatrat Smolicë, Ponoshec, Popoc etj., dhe njëherësh mbante kontakte të vazhdueshme me komandantin Shkëlzen Haradinajn dhe shumë shokë të tjerë të luftës. Meqë shtëpia e tij në Skivjan ishte bërë çerdhe ku strehoheshin qindra civilë të zhvendosur, më 24 janar 1999, pasoi rrethimi i hekurt nga ana e policisë serbe, ku morën pjesë shumë policë, dy tanke, tri autoblinda dhe një numër picgauerësh, në krye të të cilëve ndodhej kolaboracionisti Muharrem Ibra me disa policë lokalë. Me këtë rast policia serbe i zuri katër ish-ushtarë të UÇK-së dhe kryefamiljarin Arif S.Fetahaj, të cilët ende gjenden në burgjet e Serbisë. Xhavit Fetahaj edhe pse nuk ishte ushtar i rregullt i UÇK-së, kreu detyra të rëndësisë së veçantë, si vëzhgim, informim, furnizim duke qëndruar më shumë në fshatin e lindjes.
Rënia heroike
Gjatë ofensivës në Dukagjin, Xhaviti nuk pranoi të tërhiqej me familje në Gjakovë. Por, tërheqjen e bëri në drejtim të Rekës së Keqe. Në fshatin Sheremetaj bie në një pritë të forcave serbe, më 27 prill 1999, ku vritet me ushtarin e UÇK-së të Brigadës 134 “Bedri Shala”, Mustafë Avdullahun, Dr. Rexhep Hajdarajn dhe civilin Hasan Meta.
Dëshmori Xhavit Fetahaj është varrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.
Pas rënies heroike
Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.