Ky website është ende në proces të punës!

Serbeze Gashi

Serbeze Gashi (08.06.1981.-12.04.1999) ishte ushtare i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, jetën e së secilës ia rrëmbeu mizorisht, qysh në moshë të re, armiku serb.

 Jeta dhe familja

Dëshmorja e Lugut të Baranit që u radhit në vargun e gjatë të dëshmorëve të lirisë në Zonën Operative të Dukagjinit, Serbeze Gashi, u lind në fshatin Baran. Babanë dhe axhën, Serbeze Gashi i ka pasur të burgosur nga regjimi serb. Këtë padrejtësi dëshmorja e kishte ndier në zemër. Andaj, nuk ishte pajtuar kurrë me një regjim të tillë. Babai Brahimi dhe nëna Hatmanja, kishin shtatë fëmijë: dy djem dhe pesë vajza. Në mesin e vëllezërve dhe motrave, dëshmorja ishte e pesta.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ku vazhdoi edhe shkollën e mesme, por nuk arriti ta kryej, ngase dora kriminale serbe ia rrëmbeu jetën nga duart.

Veprimtaria

Ëndrra e saj, hyrja në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë realitet më 20 shtator 1998, e sistemuar si ushtare në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Kontaktet e para të Serbeze Gashit me UÇK-në u bënë në fshatin Rosuja. Është kjo koha kur u shthur UÇK-ja në Lug të Baranit, pikërisht më 12 shtator 1998. Mirëpo, pas ripërtëritjes së UÇK-së në Dukagjin, me përqendrim në fshatin Jabllanicë të Dushkajës, Ratishë të Deçanit dhe në Gllogjanin legjendar, Serbeze Gashi ishte e interesuar që ta ndihmojë këtë, madje të japë edhe kjo si femër, si vajzë e re, kontributin e vet, qoftë duke bërë funizimin për ushtarët, qoftë duke iu dhënë ndihmë të plagosurve. U aktivizua pas takimit me dëshmorët e kombit, Shkëlzen Haradinajn e Lulzim Morinën, ku mori detyra të veçanta të natyrës së logjistikës, vëzhgimet, dhënies së informatave etj., pasi Barani nuk ishte më në mbikëqyrje të UÇK-së.

Rënia heroike

Gjatë marshutës së 5 prillit 1999 të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” për tërheqjen e të plagosurve në drejtim të Istogut, kontaktoi me Shkëlzen Haradinajn ku iu doli në ndihmë të plagosurve me ushqime e veshmbathje. Serbezja iu lut komandantit ta merrte me vete në ushtri, por iu preferua të mbetet aty, se ushtria përsëri do të kthehej. Dhe, më 12 prill 1999, kur Serbezja po shkonte për t’u konsultuar me pjesëtarët e UÇK-së në fshatin Turjakë, ra në një pritë të forcave serbe, ku edhe u vra dëshmorja tetëmbëdhjetëvjeçare, mu në lulen e rinisë, për lirinë e Kosovës. Trupi i saj u varros në varrezat e fshatit Baran të Pejës.

Pas rënies heroike

Pas luftës dëshmorja Serbeze Gashi është rivarrosur në në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.

Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, familja e dëshmores ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.