Azem Muslijaj (10.06.1972-09.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, familja e të cilit dha tre vëllezër, tre dëshmorë, të rënë në një ditë, në një vend, në një çast.
Jeta dhe familja
Dëshmori Azem Muslijaj lindi më 10 qershor 1972.
Familja Muslijaj e Shaptejt të Deçanit është një familje e respektuar jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por edhe në mbarë Kosovën. Kjo familje në regjimin gjysmëshekullor shpesh u keqtrajtua nga sigurimi shtetëror serb. Ukë dhe Xhyke Muslijaj, nga gjashtë djemtë që i patën, tre ia dhuruan Kosovës dhe lirisë së saj. Ukë Muslijaj të gjashtë djemtë dhe të vetmën vajzë që pati, i shkolloi me mundime. Azemi shkollën fillore e kreu në shkollën “Drita” të Gramaçelit, ndërsa shkollimin e mesëm, drejtimi i hotelierisë, e përfundoi në Gjakovë.
Veprimtaria
Azem Muslijaj nuk iu përgjigj letërthirrjeve për të shkuar në shërbimin ushtarak jugosllav. Azemi, së bashku me vëllezërit, që në fillim të luftës, u inkuadruan në Shtabin lokal të Shaptejt, në Zonën Operative të Dukagjinit, si ushtarë të UÇK-së, ku qëndruan deri më 10 gusht 1998, kur edhe u bë thyerja e pozicioneve të UÇK-së në Dukagjin. Në fillim, si ushtarë në Shtabin lokal, dhanë kontribut të denjë, sidomos në betejën e Prejlepit. Vëllezërit Muslijaj ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me heroin Shkëlzen Haradinaj.
Rënia heroike
Në vitin 1999, meqë nga ofensiva e shtatorit qëndruan në vendlindje si gjysmë ilegalë, Azem Muslijaj u risistemua në Njësitin Vëzhgues të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” së bashku me vëllezërit Shemsiun dhe Bajramin si dhe bashkëfshatarin Rifat Beqirajn, të cilët me Njësitin Vëzhgues bënin përcjelljen e ushtarëve nga Shaptej në Gllogjan dhe anasjelltas, si dhe vëzhgonin forcat serbe që ndodheshin në Sukë të Biteshit. Por, një vëzhgim i tillë i këtij Njësiti ra në sy të forcave serbe, të cilët me një rast zënë pritë te Shavaret e Gramaçelit, pikërisht më 9 maj 1999. Në këtë pritë u vranë tre vëllezërit Muslijaj dhe Rifat Beqiraj, duke lënë prapa lavdinë, sakrificën, guximin që treguan për lirinë e Kosovës.
Trupi i dëshmorit Azem Muslijaj është varrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
Pas rënies heroike
Për heroizmin dhe sakrificën e dëshmorit Azem Muslijajt dhe dy vëllezërve dëshmorë janë ndarë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Dukagjinit, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj.