Ky website është ende në proces të punës!

Bajram Muslijaj

Bajram Muslijaj (06.11.1969-09.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, familja e të cilit lirisë së atdheut ia fali tre djemtë e saj.

Jeta dhe familja

Dëshmori i dytë i familjes Muslijaj, Bajrami u lind në fshatin Shaptej, komuna e Deçanit. Bajrami shkollën fillore e kreu në shkollën “Drita” në Gramaçel, ndërsa ato të mesme në shkollën “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, në drejtimin teknik i bujqësisë, të cilat i mbaroi me sukses.

Veprimtaria

Ishte njëri ndër pjesëtarët e parë të protestave dhe demonstratave në Gjakovë. Bashkë me të vëllanë, Shemsiun, Bajram Muslijaj iu bashkëngjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 25 prill të vitit 1998, në fillim si ushtarë në Shtabin lokal të vendlindjes. Këtu treguan një përkushtim prej luftëtari të lirisë. Në radhët e UÇK-së ndodheshin të pesë vëllezërit Muslijaj. Kontributi i tyre u duk në betejat që u zhvilluan kundër forcave serbe në fshatrat Baballoq, Prejlep, Carrabreg etj. Kontribuan deri në Ofensivën e Shtatorit, kur ranë pozicionet e UÇK-së. Një kohë qëndruan si gjysëmilegal në vendlindje, pranë familjes. Mirëpo, me kthimin e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” në Gllogjan më 28 tetor 1998, vëllezërit Muslijaj kontaktuan me komandën dhe u inkuadruan përsëri në radhët e saj, duke u sistemuar në Njësitin Vëzhgues.

Rënia heroike

Të tre vëllezërit si dhe bashkëfshatari i tyre Rifat Beqiraj vëzhgonin terrenin si dhe koncentrimin e forcave serbe që ndodheshin në Sukë të Biteshit, si dhe bënin përcjelljen e ushtarëve të UÇK-së në relacionin Gllogjan-Shaptej dhe anasjelltas. Mirëpo, kjo u bie në sy forcave serbe, të cilat më 9 maj të vitit 1999 zunë një pritë te Shavaret e Gramaçelit, pikërisht aty ku duhej të kalonin tre vëllezërit Muslijaj së bashku me Rifat Beqirajn. Në këtë pritë tinzare të forcave serbe ranë dëshmorë të tre djemtë e Ukë Muslijajt nga Shaptej, Azemi, Bajrami dhe Shemsiu, si dhe Rifat Beqiraj. Rënia e tre vëllezërve në altarin e lirisë së Kosovës paraqet një sakrificë të madhe jo vetëm për familjen, por për mbarë kombin shqiptar në Kosovë në luftën për çlirim kombëtar.

 Pas rënies heroike

Për heroizmin dhe sakrificën e dëshmorit Bajram Muslijajt dhe dy vëllezërve dëshmorë janë ndarë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Dukagjinit, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj.