Ky website është ende në proces të punës!

Agim M. Elshani

Agim Elshani (04.09.1976 – 27.03.2001) është njëri prej dëshmorëve të Kosovës, emri i të cilëve u shkrua në historinë e përjetshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asaj për çlirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

  • Jeta dhe familja

Agimi ishte i biri i Milaimit dhe Zelë Elshanit. Agimi kishte një vëlla dhe pesë motra.

Agimi u lind më datë 4 shtator të vitit 1976, në fshatin Ngucat, në një familje me tradita patriotike.

Shkollën fillore Agimi e përfundoi në Ngucat, ndërsa shkollën e mesme në Kijevë. Si i ri, ishte pjesëmarrës në demostratat e viteve ‘89-90, ku pas Epopesë në Prekaz ishte edhe më aktiv në protesta gjithëpopullore, ku edhe ju dha rasti që t’i bashkohej me vetëdëshirë forcave të UÇK-së.

  • Veprimtaria

Agim Elshani së pari iu bashkua radhëve të UÇK-së në fshatin Bllacë, ku dha betimin e tij si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veprimtarinë e tij ushtarake Agimi e ushtroi në Graiçevc, Ngucat, Bellanicë, Javor dhe Grykë të Carralevës.

Ndodhte shpesh që Agimi të dërgonte shokët e tij për shërim në Shqipëri dhe të kthehej në frontet e luftës me armatim.

Agimi iu bashkua njësitit të Komandant Gurit në Greiçevc, pastaj njësitit në Ngucat, dhe më pas si një ndër ushtarët më të dalluar, thirret në njësitin special “Arbëri”, në krye me Tahir Sinanin.

Agimi njihej për vendosmërinë, urtësinë dhe mbi të gjitha për guximin dhe sukseset e tij të shumta në çdo betejë, të cilat ja rrisnin moralin bashkëluftëtarëve dhe gjithë njësitit luftarak për të cilat suksese ai më pas do të bëhej komandant togu.

Në fshatin Javor, m+ datë 10 mars të vitit 1999, Agimi plagoset në këmbë gjatë luftimeve të ashpra me armikun, por shpejt e mori veten dhe ende pa u shëruar plotësisht ishte kthyer në vijat e frontit dhe iu bashkua bashkëluftëtarëve të tij, për ta rritur moralin e tyre dhe më lart.

Edhe me përfundimin e luftës, Agimi nuk gjente qetësi kur shihte se çështja kombëtare nuk ishte zgjidhur tërësisht. Menjëherë pas luftës, ai iu bashkua Trupave Mbrojtëse të Kosovës, institucion të cilin ai prapë e braktisi për të kapur pushkën e lirisë, mirëpo kësaj radhe jo në Kosovë, por niset në mbrojte të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ku ju vendos edhe nofka Komandant Malisheva. Ishte njëri ndër ushtarët më të dalluar dhe më të suksesshëm.

  • Rënia heroike

Agimi kishte vepruar për një kohë të gjatë në Kosovën Lindore në UÇPMB.

Agim Elshani ra heroikisht më datën 27 mars të vitit 2001 për të përjetësuar në altarin e lirisë emrin e tij, emër që do të vijë pas dekoratës më të lartë të flijimit dhe sakrificës për një jetë më të mirë për brezat e rinjë.

Për familjarët, bashkëluftëtarët dhe gjithë ata që e kanë njohur, padyshim që ka qenë një humbje e madhe aq sa ka qenë edhe krenari.

Emri i Agimit përveç që do të mbahet mend për aq kohë sa të jetë populli shqiptar, emrin e tij me krenari do ta mbajë dhe Agimi i vogël.

Trupi i tij pushon në varrezat e dëshmorëve në fshatin Kleçkë.

  • Pas rënies heroike të dëshmorit Agim Elshani

Familja e heroit Agim Elshani pranoi mirënjohje nga shoqatat e dala nga lufta të Luginës, Shoqatat e dala nga lufta e Kosovës dhe nga Kuvendi Komunal i Komunës së Malishevës.