Ky website është ende në proces të punës!

Abedin S. Bujupi

Abedin Bujupi (25.12.1971-10.11.1998) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse aktiviteti i tij në mbrojtje të atdheut kishte filluar qysh në rininë e tij.

  • Jeta dhe familja

Abedin Bujupi u lind në fshatin Arllat të Drenasit (ish-Gllogoc). Ai ishte i biri i Salih dhe Hanumshahe Bujupit. Salihu dhe Hanumshahi kishin dhe tetë fëmijë të tjerë, Haradinin, Bekimin, Labinotin, Miniren, Florien, Valbonën, Antigonën dhe Blertën.

Abedini ishte i martuar me Sabrijen dhe nga martesa e tyre, ata kanë dy fëmijë, Donikën dhe Abedinin.

Abedini Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme teknike në Drenas (ish- Gllogoc), në drejtimin Instalues i Ujit.

  • Veprimtaria

Abedini në vitin 1991 kishte emigruar në Austri dhe ishte lajmëruar si “azilant politik”, por ishte kthyer në vendlindje pas tri viteve dhe në atë kohë martohet me Sabrije Istogun. Por, për arsye të aktiviteteve të tij kundër regjimit serb, ai ishte në shënjestër dhe ishte detyruar të emigronte përsëri, kësaj radhe kishte shkuar te xhaxhai i tij, Hysni Bujupi.

Gjatë kohës sa ishte në Gjermani, ai bie në kontakt me Fehmi Lladrovcin, i cili ishte veprimtar në “Lëvizjen Popullore të Kosovës”. Abedini inkuadrohet në këtë Lëvizje dhe në fondin “Atdheu në rrezik – Vendlindja thërret”.

Abedini në Gjermani dëgjonte dhe informohej për Kosovën dhe kur dëgjoi që lufta kishte nisur në Drenicë, ai pa u menduar dy herë kishte vendosur të kthehej në atdhe, në maj të vitit 1998, kur edhe ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së,  në Grykën e Llapushnikut, të cilën trimat e Kosovës  e kishin zënë më 9 maj të vitit1998.

Abedini ishte i pandalshëm, ishte aty ku kishte nevojë dhe qëndroi një kohë edhe në shtabin lokal në fshatin Berishë.

Me 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, luftoi së bashku me shumë trima kundër forcave serbe, për mbrojtjen e pozicjoneve të Grykës së Llapushnikut.

Ai kishte lidhje të përhershme me Shtabin e Drenicës në Likoc, ku ka dërguar edhe armë, municion dhe uniforma ushtarake.

  • Rënia heroike

Më 10 nëntor të vitit 1998, Abedin Bujupi ishte në Likoc dhe kishte marrë rrugën për Arllat me makinën e tij “Ford Shkorpion”, me të mbërritur në udhëkryqin Arllat-Negroc,  afër shtëpisë së Jonuz Krasniqit, has në forcat serbe. Edhe pse ishte vetëm në makinë, ai filloi të iu kundërpërgjigjej zjarrit të forcave armike serbe, por duke bërë përpjekje të largohej, ai mori plagë vdekjeprurëse.

Pas rënies së tij, forcat armike serbe kishin maltretuar rëndë Jonuz Krasniqin nga fshati Negroc.

Bashkëluftëtarët kishin tërhequr trupin e dëshmorit Abedin Bujupi dhe e kishin varrosur në varrezat e fshatit Berishë, me nderime ushtarake.

  • Pas rënies heroike

Abedini kishte lënë gruan shtatzënë dhe gjashtë muaj pas rënies së Abedinit dëshmor, në malet e fshatit Damanek të Malishevës, ajo lindi djalë, të cilit ia vendosën emrin e babait Abedin Bujupi.

Në shenjë përkujtimi e nderimi, shkolla fillore e fshatit Arllat, mban emrin e dëshmorit Abedin Bujupi”.

Tani, djali i tij, Abedini, është rritur, por edhe pse nuk pati fatin ta njihte babain e tij, ai është bërë një djal trim, patriot dhe atdhedashës. Abedini është ushtar dhe me krenari e mban uniformën e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.