Afrim Buçaj (06.02.1963 – 24.08.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse aktiviteti i tij në mbrojtje të atdheut kishte filluar herët, duke lënë ditarin e mësuesit e duke kapur armën për liri e atdhe.
· Jeta dhe familja
Afrimi u lind në Lladroc të Malishevës dhe ishte i biri i Isa dhe Hajrije Buçaj.
Isa dhe Hajrija kanë dhe tetë fëmijë të tjerë, Aliun, Elmiun, Ragipin, Kumrien, Zemrien, Halitin, Diturien dhe Shyqeriun.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar Akademinë Pedagogjike në Prizren. Afrimi pasi përfundoi shkollimin, filloi punën si pedagog.
Afrim Buçaj – Mësuesi ka lënë bashkëshorten Dritën, djalin Valmirin dhe vajzat, Dafinën e Aurorën.
Ai pasi bëri një përvojë në punë, u aktivizua edhe në jetën kulturore dhe sportive, ku zhvilloi një aktivitet të dalluar në kuadrin e shoqërisë kulturoartistike, “Aleksandër Moisiu”.
Ai punoi me mund e dinjitet plot 18 vite gjatë jetës së tij, duke iu përkushtuar arsimit dhe nxënësve me shumë profesionalizëm dhe dashuri. Ai dha mësim në fshatrat Senik, Banjë e Lladrovc, kutse nxori një numër të madh kuadrosh të të gjitha profileve.
Më 3 nëntor të vitit 1997, Afrimin e arrestuan policia serbe, përderisa ndodhej në shkollën që ai jepte mësim dhe arrestimi u bë para nxënësve të tij, të cilin më pas e maltretuan në zyret e sigurimit serb.
Afrimi pasi kishte filluar lufta në zonën e Drenicës, kishte rënë në kontakt me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke u radhitur në radhët e saj, për ta mbrojtur atdheun e për ta fituar lirinë, ku dhe nga shokët edhe e mori nofkën “Mësuesi”.
Afrimi luftoi në Grykën e Llapushnikut, me 9 maj të vitit 1998, së bashku me shumë luftëtarë nga Drenica dhe Llapusha, një betejë kjo triumfuese dhe e vlefshme për Ushtrinë Clirimtare të Kososvës, e cila me zënien e kësaj gryke, e pamundësoi kalimin e ushtrisë serbe përmes magjistrales Prishtinë – Pejë.
Afrimi falë shkathësive dhe guximit, ishte aty ku ndodhte vatra e luftimeve. Në muajin qershor 1998, në fshatin Luzhnicë, ai luftoi së bashku me shumë trima.
Më 17 dhe 18 korrik të vitit 1998, zhvillohej lufta në Rahovec, kurse Afrim Buçaj së bashku me shumë luftëtarë të tjerë, depërtojnë në Rahovec, dhe kyçen në luftime kudër forcave armike serbe.
Afimi po tregonte shkathtësi dhe trimëri gjatë luftimit, por kur përfundoi beteja, ai ishte shumë i mërzitur për shokët e tij që nuk arritën të shpëtonin nga plumbat e armikut. Ato ditë beteje ranë dëshmorë për liri, Liman Gegaj, Sadik Shala, eprori Agim Çelaj dhe shumë bashkëluftëtarëve të tjerë.
Më 23 gusht 1998 ushtria serbe kishte filluar bombarimin nga të gjitha anët, qëllim kishin Bajrakun në Luzhnicë, një pikë kjo shumë strategjike, por luftëtarët tanë ua pamundësuan depërtimin drejt Kleçkës. Lufta ishte shumë e ashpër dhe luftohej në distancë fare të vogël.
Më 24 gusht filluan luftimet në zonën e Gajrakut të Luzhnicës. Gjatë këtyre luftimeve me forcat serbe, që u bënë atë ditë në fushën e nderit ranë për të mos vdekur kurrë, Afrim Buçaj “Mësuesi”, Nuhi Mazreku “Snajperisti” dhe Gani Kastrati, që të tre luftëtarë të njësitit elitë të UÇK-së, kurse u plagosën Refki Mazreku “Van-Dami” dhe Ilir Dugolli.
Nga lufta e madhe që u bë, ushtarët e tjerë nuk mundën t’i tërhiqnin trupat e dëshmorëve atë ditë. Të nesërmen, pasi dëgjuan për rënien e tyre, Ismet Jashari ”Komandant Kumanova” dhe Habib Zogaj “Arbëri”, u zotuan t’i tërhiqnin trupat e bashkëluftëtarëve. Pas përpjekjeve të shumta për t’i tërhequr trupat, ndeshën në forcat armike serbe, ku gjatë luftimeve, ranë edhe Ismet Jashari e Habib Zogaj. Forcat armike kishin depërtuar te vendi i rënies së dëshmorëve në Bajrak të Luzhnicës, i kishin marrë trupat e tyre dhe i kishin varrosur në Shirokë të Therandës (ish- Suharekë).
Pasi morën vesh se ku i kishin varrosur forcat armike serbe, dëshmorët tanë, luftëtarët e “Anadrinit”, kishin arritur që kufomat e dëshmorëve t’i zhvarrosin nga varret e Shirokës dhe me 2 dhjetor të vitit 1998, i kishin sjellë në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Kleçkë, ku edhe i kishin rivarrosur me nderime ushtarake.
Për ta nderuar emrin dhe sakrificën e tij, shkolla e fshatit në Lladrovc e mban me nder dhe krenari emrin e dëshmorit Afrim Buçaj
Familja mori mirënjohje edhe nga Ministria e Mbrojtjes, Kuvendi komunal i Malishevës dhe Shoqata e Dëshmorëve.