Ky website është ende në proces të punës!

Afrim M. Krasniqi

Afrim Krasniqi (13.11.1968 – 06.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili la jetën që kishte në mërgim, për t’ia falur atë atdheut të tij, Kosovës.

  • Jeta dhe familja

Afrim Krasniqi u lind më 13 nëntor të vitit 1968, në Tërpezë. Ishte fëmija i tretë i babait Mehmetit dhe nënës Elfijes.

Nga gjyshi i tij, Alushi, Afrimi mësoi për të kaluarën patriotike të paraardhësve të tij. Gjyshi i tij ishte rapsod dhe arsimdashës qysh herët, sepse në vitet 1950-1951, kishte lëshuar tokën e vet për t’u ndërtuar shkolla e fshatit Tërpezë.

Afrimi shkollimin fillor dhe të mesëm e mbaroi në Prishtinë, por, për shkak të ndjekjes e persekuptimeve të të rinjve të asaj kohe nga regjimi serb, si dhe gjendjes ekonomike të familjes së tij, si shumë bashkëmoshatarë të tij të asaj kohe, iu desh të merrte rrugën e mërgimit.

Për një kohë, ai punoi dhe veproi në Koraci dhe pastaj shkoi që të jetonte në Suedi.

Edhe pse larg nga Kosova fizikisht, me mendje e zemër ishte me popullin shqiptar të Kosovës që po vuante nga regjimi kriminal serb.

Afrimi la pas vetes gruan dhe dy vajzat e tij, Arjetën dhe Sarandën.

  • Veprimtaria

Lëvizjet patriotike në Suedi e paten gjithmonë krahë Afrimin.

Në Kosovë kishte nisur lufta dhe rezistenca për mbrojtje të Kosovës nga Ushtria Çlirmitare e Kosovës.

Afrimi duke e parë këtë gjendje, kishte vendosur që të kthehej në Kosovë dhe t’i bashkohej radhëve të UÇK-së.

Afrim Krasniqi u pozicionua në kuadër të Brigadës 138, “Agim Ramadani” dhe mbante nofkën “Drenica”.

Ai ishte emëruar komandant togu dhe luftonte në fushëbetejë, këndonte dhe shkruante poezi, duke e mbajtur gjatë gjithë kohës lart moralin e shokëve të tij të luftës.

Ai mori pjesë në shumë aksione e fushëbeteja, në të cilat Ushtria Çlirimtare e Kosovës tregoi zotësi, por kryesorja ishte ajo e Koshares.

Në këtë betejë, ushtria serbe e humbi kontrollin e kufirit Kosovë–Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e thyer kufirin dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë administrative. Furnizimi ka qenë në nivel, e gjithashtu edhe morali i luftëtarëve ka qenë i lartë. Ushtria Jugosllave ka qenë e ndihmuar edhe nga mercenarët rusë e serbë.

  • Rënia heroike

Muaji maj 1999, filloi me disa sulme të pasuksesshme të ushtrisë serbe në përpjekje për ta marrë përsëri bazën ushtarake serbe të Koshares. Sulmet e saj u bënë të pasuksesshme për shkak të zjarrit të vazhdueshëm të artilerisë shqiptare që synonte pozicionet e tyre. Më 6 maj, forcat serbe kundërsulmuan në Rrasën e Koshares, në një përpjekje për të ndaluar bombardimet e artilerisë shqiptare.

Pas luftimeve të ashpra, atë ditë, në mesin e shumë dëshmorëve, në vijën e parë të frontit, pas javësh të tëra rezistence, ra heroikisht luftëtari Afrim Krasniqi.

Ai u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, më 18 gusht të vitit 2000.

  • Pas rënies heroike të Afrim Krasniqit

Në shenjë nderimi për të, Tërpeza në vitin 2004 ndërtoi lapidarian e dëshmorëve, ku u skalitë përgjithmonë emri i dëshmorit Afrim Krasniqi, së bashku me emrat e dëshmorëve të tjerë të këtij fshati.

Për të mbajtur gjithmonë në mendje guximin dhe kontributin e tij për lirinë e Kosovës, një rrugë e këtij fshati mban emrin “Afrim Krasniqi.