Agim Qelaj (06.12.1961-19.07.1998) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse aktiviteti i tij në mbrojtje të atdheut kishte filluar në rininë e tij.
Agim Qelaj u lind në Strellc të Ulët të Pejës. Ishte biri i Binakut dhe Zylfies. Binaku dhe Zylfia kishin edhe dy djem, Florimin dhe Besimin, si dhe dy vajza, Luljetën dhe Vjollcën.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu me sukses shembullor, ndërsa në vitin 1980 e regjistroi Akademinë Ushtarake në Kroaci, të cilën e përfundoi dy vitet e para për ta vazhduar artin luftarak në qytetin e Zarës të Kroacisë.
Karrierën ushtarake të eprorit e fillon në ujëdhesën Vis të Kroacisë dhe mbante gradën Kapiten i Klasit të Parë.
Në vitin 1992, ai mori familjen dhe tërhiqet nga ujëdhesa Vis për në Split, e pastaj në Dellnicë, Maqedoni, Shqipëri, Gjermani. Agimi edhe pse në mërgim, ai mendjen e kishte gjithmonë në Kosovë. Ai merrte informacione se si ishte gjendja në Kosovë dhe sapo kishte filluar lufta, ai la Gjermaninë dhe ishte radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Agimi la pas vetes bashkëshorten Buba dhe fëmijët Suzanën, Valentinën dhe Gentianin.
Agimi kishte shpirt luftarak dhe përvojë të madhe. Ai, qysh si fëmijë kishte ëndërruar që të ishte pjesë e një ushtrie, siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai ra në kontakt me Kadri Veselin, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet të cilit, ishte radhitur në UÇK. Nga Gjermania kishte kaluar në Shqipëri dhe theu kufirin shqiptaro-shqiptar, i shoqëruar prej Agush Gjocajt. Eshaloni me të cilin ishte nisur Agim Qelaj kishte 45 luftëtarë të lirisë.
Agimi Qelaj, me nofkën “Colin” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veproi në Likoc, Llaushë, Açarevë, Grykë të Llapashnikut dhe në Betejën e Rahovecit,
Pasi erdhi në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm e kishte ngarkuar si epror-instruktor për përgatitjen e njësive speciale për intervenime të shpejta pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe kishte vepruar në Likoc, në Açarevë, në Negroc, e në Kleçkë, meqë Agimi ishte me përvojë rreth ushtrisë, pasi që e kishte të përfunduar Akademinë Ushtarake në Kroaci dhe në këtë pozicion ishte treguar strateg i vërtetë
Më 19 korrik të vitit 1998, Agimi së bashku me 16 luftëtarët e tjerë po luftonin në betejën e Rahovecit. Në këtë betejë, forcat serbe kishin depertuar nga Shpati i Shtavicës, duke breshëruar kolonën e ushtarëve në magjistralen Prishtinë-Rahove dhe kështu duke lënë të vdekur Agim Qelaj në krye të grupit, si dhe bashkëluftëtarët e tjerë, Sadik Shala, Liman Gegaj, Faik Rama, Gëzim Hamza e Abdullah Bugari, ndërsa në vazhdimin e këtyre luftimeve përreth Rahavecit vriten edhe Gani Paçarizi, Hamdi Berisha, Afrim Krasniqi, Agim Kelmendi, Skender Jahë Kastrati, Tafil Zyberaj, Mizahir Isma, Arian Brahimi, Bekim Isma, Eshrafedin kastrati, Remzi Ukshini, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Habit Berisha, Ramadan Morina e Ruzhdi Xhuliqi.
Në këtë betejë u vranë 19 dëshmorë, ndërsa me gjakun e tyre u shkrua edhe historia e marrjes së qytetit të Rahavecit, të cilën e mbajtën deri më 24 korrik të vitit 1998.
Emrat e dëshmorëve që ranë atë ditë në fushën e nderit për liri e atdhe, të cilëve arritën t’ua tërhiqnin trupat gjatë luftimeve janë: Gani Paçarizi, Hamdi Berisha, Habib Berisha, Ramadan Morina, Ruzhdi Xhuliqi, Afrim Krasniqi, Samir e Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi e Gëzim Mullabazi, të cilët u varrosen me nderime në Malishevë dhe në fshatrat e Llapushës. Ndërsa trupat e dëshmorëve, Liman Gegaj, Agim Qelaj, Faik Rama, Remzi Ukshini, Abdullah Bugari e Sadik Shala nuk u gjetën, sepse forcat serbe i kishin marrë me vete. Trupat e Faik Ramës e të Agim Qelajt u zbuluan më vonë, ndërsa Liman Gegaj e Remzi Ukshini ende nuk janë gjetur.
Trupi i dëshmorit Agim Qelaj nuk u gjet 9 vite, derisa u zbulua në varrezat e Rahovecit. Pas zbulimit të trupit të Agim Qelajt, në qytetin e Pejës u mbajt një akademi përkujtimore, ndërsa rivarrimi u bë në ditëlindjen e tij, më 6 dhjetor të vitit 2007, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Kleçkë.
Baba i Agimit, Binaku vdiq dy muaj para se të gjindej trupi i Agimit, ndërsa nëna Zylfia vdiq në vitin 2018.
Familja e ngushtë e Agimit jeton në Gjermani, vajza e madhe Suzana vdiq nga një sëmundje e rëndë në vitin 2023.
Pas luftës, ai u dekorua me gradën “Gjeneral Major” dhe u nderua me urdhërin “Hero i Kosovës”.
Emri i Agim Qelaj shkëlqen në “Lapidarin e Ujësjellësit”, bri cepit të magjistrales, Prishtinë – Rahovec.