Agron Mehmetaj (02.11.1978 – 24.03.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit. Ai la shkollën për t’iu përkushtuar luftës për atdhe, për të cilin e dha edhe jetën.
Agron Mehmetaj u lind më 2 nëntor 1978, në Gllogjan të qytetit të Deçanit. Ai ishte i biri i Nimonit dhe Zyrafetes, të cilët kishin edhe katër djem të tjerë, e që secilin e rritën në frymën e atdhedashurisë.
Agroni e përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në fshatin Rrezar, ndërkaq ishte regjistruar në Universitetin e Prishtinës në vitin 1997, në Fakultetin Teknik, në Degën e Makinerisë, por të cilat nuk arriti t’i përfundonte.
Agron Mehmetaj posa i nisi studimet, mori pjesë aktivisht në protestat dhe demonstratat studentore, të cilat u organizuan në Prishtinë, në vitin 1997.
Në atë kohë, djali i xhaxhait të tij, Gazmendi, me të cilin ishin edhe bashkëmoshatarë, ishte angazhuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe i inspiruar prej tij, Agroni kishte lënë studimet dhe ishte kthyer në Gllogjan për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
Agron Mehmetaj menjëherë pas angazhimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, u bë një ushtar i rëndësishëm dhe që ndodhej kudo që e ngarkonte detyra.
Ishte data 24 mars, kur forcat serbe u nisën për Gllogjan, disa të shtëna armësh u dëgjuan në fshat dhe ato krisma kishin ardhur nga Daut Haradinaj, që kishte një përleshje më forcat serbe, të cilat tashmë kishin depërtuar në fshat.
Gazmendi me Agronin i kishin larguar familjarët nga shtëpia dhe të armatosur u nisën drejt shtëpisë së familjes Haradinaj, ku gjatë rrugës ishin takuar edhe me Himë Haradinajn.
Kjo datë njihet edhe si dita kur u legalizua lufta e UÇK-së në Dukagjin. Ndonëse në kushte të pabarabarta, por nga familja Haradinaj me shokë po bëhej një rezistencë titanike. Qindra policë e ushtarë serbë kishin futur në funksion artilerinë më të rëndë për të mposhtur luftëtarët e UÇK-së, por nuk ia dolën dot dhe përfunduan me shumë humbje në njerëz dhe në armatim.
Agroni, Gazmendi dhe Hima kishin dalë në pikën e caktuar, ku do të takoheshin me bashkëluftëtarët e tjerë për të marrë instruksionet për vazhdimin e mëtejmë të rezistencës. Këta tre ushtarë të njomë të UÇK-së, me të dëgjuar për zënien rob të nxënësve dhe civilëve që po shfrytëzoheshin si mburojë e gjallë nga ushtria serbe, ishin nisur drejt tyre, por në përballje me forcat serbe, snajperistët serbë i kishin qëlluar nga helikopteri, duke i lënë të vdekur Agron e Gazmend Mehmetaj, kurse Himë Haradinaj ishte plagosur rëndë.
Dëshmorët Agron e Gazmend Mehmetaj ishin varrosur me nderime të larta, më 27 mars 1998, në Gllogjan. Në këtë varrim morën pjesë qindra qytetarë nga mbarë Kosova, të cilët ndanë dhimbjen me familjen Mehmetaj. Nga po e njëjta familje, jetën për liri e dha edhe djali tjetër i xhaxhait të Agronit, Artoni.
Pas rënies heroike të tij, për heroizmin e trimërinë e treguar në luftë për liri, familja e Agron Mehmetaj është nderuar me mirënjohje dhe dekorata nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit e UÇK-së, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla” dhe shoqatat e dala nga lufta.
Për të nderuar veprën e tyre, një rrugë në qytetin e Deçanit është emëruar “Agron dhe Gazmend Mehmetaj”.