Artan Qorraj (13.09.1980-13.07.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, i brumosur me ndjenja atdhedashurie, u përjetësua në historinë e popullit shqiptar.
Jeta dhe familja
Artan Qorraj u lind në fshatin Carrabreg, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje fshatare me traditë kombëtare. Prindërit Nezir dhe Zoje Qorraj kishin pesë fëmijë: katër djem e një vajzë. Gjatë sundimit pesëdhjetëvjeçar të regjimit serbokomunist, kësaj familjeje nuk iu dha e drejta e punësimit. Mu për këtë, i ati Neziri, u detyrua të marrë rrugët e mërgimit. Shumë vjet punoi në Austri për të siguruar ekzistencën e familjes së vet.
Artan Qorraj shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa fillimi i luftës në Kosovë përkatësisht në Rrafsh të Dukagjinit atë e gjeti në shkollën e mesme në Deçan. Ishte nxënës i zgjuar.
Veprimtaria
Edhe pse i ri në moshë, që në fillim të rezistencës së armatosur të popullit shqiptar kundër forcave serbe, u rendit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përherë u gjet si ushtar fronti me armë në dorë. Edhe ky, si djali i axhës, Rexhë Qorraj, morën pjesë në luftimet që u zhvilluan ato ditë ku këta shërbenin.
Rënia heroike
Më 13 korrik 1998, në një luftë të ashpër, në distancë prej 40 metrash, ku luftohej për jetë a vdekje, në fushë të vendlindjes, në Carrabreg, duke ruajtur pozicionet që armiku me çdo kusht mundohej t’i merrte, Artani, së bashku me djalin e axhës, Rexhën, ranë në fushën e nderit ashtu siç bijnë djemtë për liri. Goditet nga një predhë trombloni, dhe dy muaj pa shkelë në të tetëmbëdhjetat, lartohet si yll në qiellin e lirisë së Kosovës, për të qëndruar përgjithmonë.
Trupat e Rexhë dhe Artan Qorrajt varrosen në fushë të Carrabregut, ndërsa rivarrosen me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit në shtator të vitit 1999.
Pas rënies heroike
Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, familja e Artan Qorrajt ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.