Bafti Buçaj (29.02.1956-31.05.1999) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili qysh si fëmijë ishte rritur me ndjenjën e dashurisë atdhetare.
Bafti Buçaj u lind më 29 shkurt të vitit 1956, në Lladroc të Malishevës, nga babai Tafili dhe nëna Xhemilja.
Prindërit e tij kishin edhe shtatë fëmijë të tjerë, Milaimin, Agronin, Elmiun, Lumturien, Kimeten, Shahën dhe Kadën.
Ai shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërkaq të mesmen në qytetin e Therandës (ish-Suharekë).
Dëshmori Bafti Buçaj ka lënë pas vetes bashkëshorten Metullahen, djalin Visarin dhe vajzat, Malësoren e Gentën.
Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike të familjes, si edhe gjendjes me të cilin po përballeshin shqiptarët brenda regjimit jugosllav, Baftiu si edhe shumë të rinj kishte marrë rrugën e mërgimit, me ç’rast kishte shkuar në Slloveni, ku kishte punuar dhe jetuar për katër vite.
Gjatë viteve 1985-1992, Baftiu punoi në organizatën bujqësore “Mirusha”, të Malishevës, e më pas punoi edhe në shkollë si roje. Më pas, Baftiu ishte aktiv në çdo protestë e demonstrateë që po zhvillohej kundër heqjes së autonomisë së Kosovës.
Fillimi i luftës në Drenicë shënon edhe fillimin e angazhimit të Baftiut në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i cili nisi angazhimin e tij së pari në sektorin e logjistikës, për të siguruar ushqim, strehim e veshmbathje për popullatën civile shqiptare, të cilët ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve.
Më pas, me themelimin e pikës së luftimeve në fshatin Lladroc, ai menjëherë u angazhua në kompaninë II, “Ali Zogaj”, që funksiononte në kuadër të Batalionit IV, të Brigadës 121, “Ismet Jashari – Kumanova”.
Ai kishte marrë pjesë në shumë beteja dhe luftime kundër forcave serbe, përfshirë edhe luftimet e ashpra të zhvilluara në Grykën e Llapushnikut, e më pas edhe në fshatin Luzhnicë, në gusht të vitit 1998, ku tregoi një heroizëm dhe trimëri të paparë në ditët më të vështira për kombin dhe popullin shqiptar.
Më 31 maj të vitit 1999, duke filluar nga orët e para të mëngjesit, forcat armike serbe kishin ndërmarrë ofensivë të përmasava të gjera, në drejtim të fshatit Lladroc.
Në vendin e quajtur “Bregu i Memës”, kishin zënë pozicionet Bafti Buçaj e Avni Buçaj, së bashku me 18 bashkëluftëtarë të tjerë nga Lladroci. Derisa granatimet dhe bombardimet e armikut nuk kishin të ndalur, diku rreth orës 13:30, Baftiu dhe Avniukishin vrapuar për te shtëpia e Muart Buçajt, për të marrë municion dhe kur i afrohen 50m pikës së pozicioneve të luftëtarëve të lirisë, ata ishin goditur nga predhat e minahedhësit të armikut.
Edhe përkundër përpjekjeve të bashkëluftëtarëve për t’i shpëtuar, çdo gjë ishte e kotë dhe ata ranë në altarin e lirisë.
Pas çlirimit të Kosovës, trupi i Baftiut ishte rivarrosur në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë.
Për të nderuar veprën dhe guximin e tij, familja e dëshmorit Bafti Buçaj ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Kosovës e asaj kohe, si dhe nga shoqatat e dalura nga lufta.
Një rrugë në fshatin Lladroc të Malishevës mban emrin e tij.
Në dhjetor të vitit 2023, me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të Malishevës dhe institucioneve komunale, u bë përurimi i lapidarëve në fshatin e tyre të lindjes për tre dëshmorët e kombit, Bafti Buçaj, Avni Buçaj dhe Feriz Bibaj.