Bedri Gashi (28.08.1967-04.06.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq aktivitetin e tij patriotik e nisi qysh në moshë të hershme, për çka edhe kishte rënë në sy të regjimit serb të asaj kohe.
Bedri Gashi u lind më 28 gusht të vitit 1967 dhe ishte fëmija i gjashtë i babait Habibit dhe nënës Zarifes.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, Arllat të Drenasit (ish-Gllogoc), ndërkaq të mesmen e mbaroi në gjimnazit e Drenasit.
Bedriu ishte rritur dhe edukuar sikurse të gjithë moshatarët e vet në frymë patriotike. Ngjarjet e vitit 1989 dhe pjesëmarrja aktive në protestat mbarëpopullore në të gjitha qytetet e Kosovës, bënë qe ai të binte në sy të shtetit policor serb, kështu që ishte detyruar të merrte rrugën e mërgimit për në Kroaci, sikurse një pjesë e shqiptarëve atë kohë, që detyroheshin nga dhuna dhe terrori i forcave jugosslavo-serbe të largoheshin nga atdheu.
Bedriu aktivitetin e tij e vazhdoi edhe në Kroaci, duke iu bashkëngjitur protestave të mërgimtarëve në diasporë.
Për 9 vite me radhë nuk kishte qenë në Kosovë, pasi që ishte vazhdimisht në shënjestër të forcave policore serbe. Me fillimin e luftës në Kosovë dhe daljes në skenë të UÇK-së, ishte mobilizuar fillimisht në radhët e Fondit “Vendlindja Thërret”, e më pas me shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm, ai me një grup prej mbi 100 luftëtarësh kishte udhëtuar nga Kroacia në relacionin Zagreb – Rijekë – Split dhe kishte arritur në Durrës të Shqipërisë, e më pas ishte mobilizuar në Qendrën Stërvitore “FEKEN” të Dajtit, ku ishte baza ushtarake tashmë e UÇK-së, e dikur baza e Akademisë Ushtarake “SKËNDERBEU”.
Në këtë bazë ishin mobilizuar vullnetarët nga diaspora dhe të gjitha trojet shqiptare. Këta vullnetarë u stërvitën nga eprorët pedagogë të Akademisë Ushtarake të Shqipërisë, “Skënderbeu”, në krye me komandantin e Akademisë, kolonel Flamur Skraparlliun, kurse komandant i kësaj qendre ishte eprori Bilall Syla.
Në këtë bazë ushtarake, Bedriu së bashku me shokët e tij, kishin kryer përgatitjet tekniko–taktike dhe luftarake për vijat e frontit.
Pas përgatitjeve të duhura dhe dhënies së betimit, ai ishte bashkëngjitur sikurse ushtarët e tjerë të vijës së frontit në Majën e Pashtrikut, Drejtimi Taktik 2, në Operacionin “Shigjeta”.
Ai ishte sypatrembur dhe energjik, por lufta në Pashtrik ishte e vështirë sepse forcat pushtuese serbe po përdornin artilerinë luftarake të të gjitha kalibrave, për të rikthyer territoret që i kishin çliruar njësitet e UÇK-së.
Edhe kundërvënia e bashkëluftëtarëve të Bedriut ishte mjaftë e ashpër sepse ata po përkraheshin me artileri nga ushtria e shtetit të Shqipërisë dhe nga bombardimet ajrore të NATO-s.
Sipas ditarit operativ, më datë 4 qershor të vitit 1999, në ora 18:00, nga një predhë e minahedhësit të armikut 120 mm ishte qëlluar për vdekje luftëtari i lirisë, Bedri Gashi.
Po me këtë datë ishin plagosur edhe tetë bashkëluftëtarë të lirisë, Sevdail Robeli, Milaim Ali Krasniqi, Shaqir Mustafa, Enver Neziri, Selim Imeri, Metush Mustafa, Xhelil Salihu dhe Enver Qorri.
Për të nderuar veprën dhe trimërinë e Bedri Gashit, në vitin 2019, në 20-vjetorin e operacionit të UÇK-së, “Shigjeta”, në Pashtrik, presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, e dekoroi Bedri Gashin me titullin “Hero i Kosovēs”.